Ka ndërruar jetë 31-vjeçari nga Bilishti, Joan Nasto, i cili prej kohësh ishte në luftë me sëmundjen e tij, ku kurimi i kushtonte shuma të mëdha monetare, të cilat familja e tij nuk i përballonte dot.
Në dhjetor të vitit 2022 ai u diagnostifikua me limfome difuze me qeliza te medha B ne stadin IV me infiltrim gastrik. Pas disa muajsh kimioterapi në Selanik, 31-vjeçari filloi të përmirësohet dhe mjekët i dhanë shpresa pozitive. Mirëpo, fatkaqësisht sëmundja u rikthye më agresive se herën e parë dhe zgjidhja e vetmë për të ishte transplanti autolog i qelizave staminale.
Ky trajtim mund të bëhej vetëm në Greqi dhe operacioni kushtonte mbi 100 mijë euro. Shuma ishte e papërballueshme për famijarët e 31-vjeçarit, të cilët vite me parë kanë humbur dhe babain e Joanit. Në muajin tetor, familjarët hapën një “Go Found Me” për të kontribuar qytetarët, e cila u shpërnda gjerësisht dhe nga mediat online.
Fatkeqësisht, i riu nuk ka arritur dot të mbijetojë. Mbi ndarjen nga jeta të 31-vjeçarit ka reguar edhe Basahki e Devollit, ku Joan Nasto ishte punonjës, para se të prekej nga sëmundja e rëndë.
“Po përjetojmë dhimbje të madhe sikurse familja Nasto për ndarjen nga jeta të djalit të tyre, Joani Nasto.
Ndajmë dhimbjen tonë për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut, mikut dhe punonjësit të devotshëm të institucionit tonë.
Sot e përgjithmonë do ta kujtojmë për edukatën dhe përkushtimin e tij në punë.
Shprehim ngushëllimet më të ndjera për familjen e respektuar, miqtë, kolegët e tij dhe mbarë opinionin publik.
U prehtë në paqe!” – shkruan Bashkia e Devollit në një postim në rrjetet sociale.