Kosova po planifikon të zgjerojë bashkëpunimin me Turqinë, në fushën ushtarake. Pas dronëve “Bayraktar TB-2”, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka paralajmëruar investime në projekte të tjera.
Këtë deklaratë, Maqedonci e ka dhënë pasi priti në takim drejtorin ekzekutiv të kompanisë “Baykar”, Haluk Bayraktar, gjatë vizitës që zhvilloi i njëjti në Kosovë.
“Bashkëpunimi me kompaninë Baykar që është kthyer në kryefjalën e teknologjisë ushtarake me prodhimet e veta, ka bërë që FSK për një periudhë të shkurtër të ngrisë kapacitetet e saj luftarake në nivelin që garanton mbrojtje territoriale dhe siguri për të gjithë qytetarët tanë. Gjatë këtij takimi diskutuam për projektet e rradhës në të cilat do të investojmë, dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi përtej blerjeve”, deklaroi ministri pas takimit.
Projektet të cilat i pëmendi Maqedonci, janë ende vetëm ide, thonë nga Ministria e Mbrojtjes. Nga kjo ministri s’kanë pranuar të japin detajet për shumën e mjeteve që pritet të investohen, derisa shtuar se s’mund të japin informata për aktivitetet dhe bashkëpunimin në fushën ushtarake që po zhvillohen.
“Siç e ka theksuar edhe Ministri Maqedonci në shkrimin e tij, është biseduar rreth projekteve të cilat janë ende në fazën fillestare, ideore. Për nga natyra aktivitetet dhe bashkëpunimi në fushën ushtarake të cilat zhvillohen aktualisht nuk mund të ndahen me publikun”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Blerje të reja nga Turqia në këtë fushë kishte paralajmëruar edhe ish-ministri Armend Mehaj, gjatë një vizite në Turqi ku ishte takuar me Bayraktar
Blerjen e dronëve, Mehaj e kishte cilësuar si një nga investimet më të mëdha në ushtri gjatë viteve të fundit.
“Për të falënderuar për bashkëpunimin parimor dhe të besueshëm si dhe për të parë fusha tjera në të cilat mund të ngrisim kapacitetet tona mbrojtëse, kam takuar shefin e kompanisë Baykar, z. Haluk Bayraktar. Pajisjet e ushtrisë tonë për qëllime të mbrojtjes, do të vazhdojnë të jenë prioritet i yni në suaza të standardeve të NATO-së”, shkroi Mehaj në Facebook, pas takimit.
Për fluturaket që Kosova bleu nga Turqia ishte deklaruar mbrëmë Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, i cili kishte thënë se ardhja e dronëve “Bayraktar TB-2” në Kosovë ishte rezultat i një marrëveshjeje dhe jo një donacioni.
“Kryeminstri Kurti veçse ka dhënë një njoftim në media dhe më duket e ka dhënë përgjigjen. Në këtë postim të tij, ka qenë një intervistë në një gazetë kroat, aty ka dhënë detaje shtesë. Kështu që është një marrëveshje, nuk është një donacion”, kishte deklaruar Ambasadori.
“Në fakt, ne nuk jemi shumë të gëzuar të shihemi më shumë si partnerë mbrojtës të Kosovës. Arsyeja është sepse Kosova është partneri strategjik i Turqisë edhe anasjelltas. Për të qenë një partner strategjik do të thotë të zhvilloni të gjitha fushat, edhe atë të mbrojtjes. Por në Kosovë ne e kemi të zhvilluar, të rëndësishëm edhe bashkëpunimin ekonomik. Ne kemi investime në sektorë të ndryshëm, në banka, në aeroport, në distribucionin e rrymës, në prodhim dhe kompanitë turke edhe ngrisin punësimin në Kosovë. Investimet në Kosovë janë 10 përqind e investimeve tona në Ballkan. Vitin e kaluar Turqia është bërë partneri numër 1 i Kosovës dhe ne dëshirojmë të kemi bashkëpunim ekonomik e tregtar, kjo është e rëndësishme për ne”.
I pyetur se se a do të arrijnë dronë të tjerë në Kosovë, diplomati turk ishte shprehur se kjo varet nga nevoja e Kosovës.
“Kjo varet nga nevoja e Kosovës por deri më tani, forcat mbrojtëse të Kosovës janë duke kaluar nëpër bashkëpunime, trajnime dhe kemi disa bashkëpunime me udhëheqësit ushtarakë…këtu po fokusohemi më tepër por nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të fitojë ndonjë pajisje shtesë në lidhje me këto nevoja, në lidhje me kornizat e NATO-së, atëherë Turqia dhe shtetet e tjera do iu përgjigjen këtyre nevojave. Deri më tani, nuk ka qenë në agjendën tonë një gjë e tillë”, kishte thënë ai.
Blerjen e fluturakeve e kishte konfirmuar vetë kryeministri Albin Kurti, në llogarinë e tij në Facebook.
Kurti nuk kishte treguar me sa të tillë është pajisur Koosva, por vetëm kishte se Qeveria i ka blerë nga Turqia.
Pas postimit të Kurtit, KFOR-I kishte lëshuar një deklaratë në lidhje me përdorimin e dronëve, duke thënë se “hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovën nga një vend në tjetrin me fluturime komerciale”, dhe se për hapësirën e poshtme nevojitet autorizimi i komandantit të KFOR-it.
“Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovë nga një vend në tjetrin me fluturime komerciale; hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret për nevoja specifike, rast pas rasti dhe sipas autorizimit të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it. Presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.
Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij. Kjo fluturake, po ashtu, mund të pajisjet me katër raketa të llojit të “mikro municioneve të mençura”, që janë mjaft të sakta për të shkatërruar automjete të blinduara nga disa kilometra distancë.
Dronët e tillë të llojit TB2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.
Pavarësisht se çmimi i një Bayraktari TB2 nuk është bërë publik, më herët gjatë këtij viti ishte organizuar mbledhja e fondeve për të blerë dronë të tillë për Ukrainën dhe organizatorët e mbledhjes së këtyre fondeve kishin sugjeruar se 5 milionë euro janë të mjaftueshme për një dron.