Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Lansohet programi për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës

 
   

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës nuk po gjen zbatim sa duhet dhe pandemia ndikoi që të pamundësohet një gjë e tillë.

Kështu u tha në lansimin e programit për zbatimit të këtij ligji, ku u vlerësua si set edukativ i munguar në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Veç tjerash, u bë e ditur se ky program ka për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të profesionistëve për mbrojtjen e fëmijës në nivel komunal dhe qendror, si dhe për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e fëmijës.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini deklaroi se ky program është dokument me rëndësi dhe punë e përbashkët mes institucioneve dhe shoqërisë civile.

Hajredini: Programi për zbatim të ligjit i dedikohet ngritjes së kapaciteteve të zyrtarëve publikë

“Programi për zbatim të ligjit i dedikohet ngritjes së kapaciteteve të zyrtarëve publikë, jo vetëm. Dhe ky program që ne sot po e prezantojmë i dedikohet katër moduleve kyçe specifike për t’iu ngritur kapacitetet autoriteteve në nivel qendror dhe lokal. Natyrisht, nëpërmjet këtyre programeve, ne do të kemi si qëllim dhe synojmë që jo vetëm të rrisim kapacitetet, por edhe të fokusojmë në mënyrë efikase zbatimin e ligjit nëpërmjet zyrtarëve që janë përgjegjës për të marrë veprime adekuate në të gjitha dikasteret e ministrive dhe të komunave të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Drejtoresha e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Donjeta Kelmendi deklaroi se pandemia pamundësoi zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.

Kelmendi: Pandemia ishte arsyeja kryesore që nuk kishte filluar të gjente zbatim ky ligj

“Pandemia krijoi një shkëputje të këtij procesi dhe kjo duket të jetë arsyeja kryesore që pse nuk kishte filluar të gjente zbatim Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës. Marrë parasysh këtë në një takim që kishim me Zyrën për Qeverisje të Mirë, me Habitin dhe Qëndresën diskutuar për këtë çështje dhe vendosëm që bashkërisht të mbajmë një seri të takimeve, të punëtorive nëpër komuna rreth përmbajtjes së Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe cilat ishin obligimet kryesore dhe risitë që i sillte ky si ligj. Në të njëjtën kohë, Zyra për Qeverisje të Mirë kishte planifikuar të hartonte një program me module për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe vendosëm bashkërisht që të mbështesim këtë proces shumë të rëndësishëm”, u shpreh ajo.

Kelmendi shtoi se vitin e kaluar janë mbajtur punëtori e takime në të gjitha komunat e Kosovës me përfaqësues të institucioneve nga fusha e arsimit, shërbimeve sociale, shëndetësisë, policisë, gjyqësorit e prokurorisë.

Kelmendi: Programi i cili po lansohet është i një rëndësie të veçantë

“Programi, i cili po lansohet është i një rëndësie të veçantë, është një set edukativ i çmuar dhe i munguar në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Shpresojmë shumë që do të mbështesë të gjithë zbatuesit dhe ofruesit e shërbimeve për mbrojtjen e fëmijës e sidomos edhe të zyrtarëve dhe të ofruesve që i kemi parë nëpër komuna që janë punësuar rishtazi”, shtoi Kelmendi.

Nënkryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Albana Bytyqi theksoi se Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve nuk po gjen zbatim sa duhet.

Bytyqi: Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës nuk po zbatohet aq sa duhet

“Është një ligj (Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës), ku mendoj që duhet të zbatohet sa më shumë në praktikë. Dhe në bazë të asaj ku kemi dëgjuar, është thënë edhe nga Avokati i Popullit që nuk po zbatohet aq sa duhet. Mirëpo, ka qenë edhe e nevojshme hyrja e këtyre 20 akteve nënligjore, ku do të mundohemi që ky ligj të jetë sa më efektiv dhe sa më i zbatueshëm në praktikë”, u shpreh ajo.

Specialisti i politikave sociale dhe familjare nga UNICEF, Dren Rexha theksoi se pasojat e shkeljes së mbrojtjes së fëmijëve janë katastrofike.

Rexha: Çdo fëmijë ka të drejtë të mbrohet nga dhuna

“Pavarësisht rrethanave çdo fëmijë ka të drejtë të mbrohet nga dhuna, shfrytëzimi dhe abuzimi. Sistemet e mbrojtjes së fëmijëve i lidhin fëmijët me shërbimet jetike sociale dhe me sistemet e drejtësisë, duke filluar që nga lindja. Mbi të gjitha mbrojtja e fëmijëve do të thotë të mbrosh nevojat e tyre fizike, mendore dhe psiko-sociale për të mbrojtur të ardhmen e tyre”, përfundoi ai.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve ka hyrë në fuqi në vitin 2020 dhe ka për qëllim të sigurojë përgjegjësitë e të gjitha hallkave të shoqërisë për kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijëve.