Gazetari dhe opinionisti, Vehbi Kajtazi, nëpërmjet në postimi në Facebook ka thënë se Kosova të dielën do të ketë sfidën më të madhe në rrafshin ndërkombëtar sa i përket orientimit të saj perëndimor pasi në këtë të diell luhet ndeshja Kosovë – Izrael që sipas Kajtazit në radhë të parë do të jetë sfidë sigurie.
Kajtazi gjithashtu argumenton se ajo do të jetë edhe sfidë e orientimit politik, përtej përgatitjes së lojtarëve për ndeshjen që sipas tij kësaj radhe del në rend të fundit.
Analiza e Kajtazit është e bazuar në zhvillimet e fundit në Gaza ku Izraeli dhe terroristët e Hamasit po luftojnë. Ai ka thënë se gjithashtu, analiza e tij bazohet në parandalimin e një sulmi terrorist të disa viteve më parë ndaj ekipit të Izraelit në Shkodër.
Kajtazi ka thënë se në stadium duhet të jenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe liderë të tjerë politikë.
“Sepse kjo nuk është vetëm ndeshje futbolli. Është shumë më shumë”, shpehet Kajtazi.
Ai ka bërë thirrje dhe të institucionet e sigurisë dhe të inteligjencës si Policia dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës që të jenë vigjilent më shumë se kurrë.
“Duhet të kontrollohet secili person para hyrjes në stadium. Madje, edhe të “zhveshen” nëse është e nevojshme për të mos e lejuar futjen dhe ekspozimin e asnjë baneri apo parulle provokuese që bie ndesh me rregullat e sportit, veçanërisht me interesat tona”, ka thënë Kajtazi.
Sipas tij, shteti e di se kush mund të shkaktojë incidente dhe duhet t’i mbajë larg këta persona me çdo kusht.
Ai në fund ka uruar që gjithçka të shkojë mirë e pa incidente.