Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Horoskopi

“Isha në një dhomë pa dritare, pa asgjë”/ Elsa Lila rikujton arrestimin në Itali: Muret ishin me emra, data dhe mesazhe

“Nuk kam ngrënë, nuk kam pirë, nuk kam fjetur, nuk jam shtrirë në atë krevat, kam ndenjur në…”

Këngëtarja e mirënjohur, Elsa Lila, ishte e ftuara e radhës në podkastin e kryeministrit të vendit, Edi Rama. Në një moment gjatë bisedës, artistja foli edhe për arrestimin e saj në Itali një vit më parë.

Ajo u akuzua si e përfshirë në një bandë të trafikut të drogës, ku u tha se ishte llogaritarja. Arrestimi u bë më 16 mars të vitit 2022, ku operacioni i antidrogës, u zhvillua në jug të Romës, ndërsa u lëshuan urdhër-arreste për 13 persona, të cilët akuzoheshin për trafik droge, shqiptarë dhe italianë.

Elsa Lila u shpreh se arrestimi dhe qëndrimi në qeli ka qenë një eksperiencë në vete.

“Është një eksperiencë në vete të them të vërtetën. Qelinë e provova kur u arrestova vitin e kaluar. Sipas tyre, për shpërndarje të lëndëve narkotike. Një gënjeshtër e madhe, po e madhe, shumë e madhe. Qëndrova dy muaj, nga këta dy javë në izolim. Në një dhomë pa dritare, pa asgjë. Ka qenë shumë e vështirë. Ditët janë shumë të gjata, nuk mbarojnë kurrë. Nuk e kisha sensin e orës. Orientohesha me vaktet që servireshin. Pra, vinte dreka e duhet të jetë pak a shumë ora 1. Nuk kishte as dritë aty brenda, kështu që nuk mund të orientohesha me dritën e diellit, por ama është një eksperiencë kaq e fortë psikologjikisht sa ti nuk je më njëlloj pastaj mbrapa”, tha artistja e mirënjohur.

Sipas Elsa Lilës, pas 3 ditëve të para nuk ka ngrënë, nuk ka pirë dhe nuk ka fjetur. Ajo shprehet se “muret e dhomës kishin emra, data, mesazhe, poezi, kishte shumë energji të lënë aty brenda nga gjithë njerëzit, dhimbjen që kanë përjetuar aty brenda”.

Këngëtarja shton se duke qenë se e dinte se ishte e pafajshme e ka ‘përjetuar këtë si një nga eksperiencat e jashtëzakonshme, të çmendura që i kanë ndodhur gjatë jetës’.

“Ai është një moment kufiri, ku ti duke ditur që je i pafajshëm dhe do dalësh që aty, ose e shfrytëzon atë moment për të medituar fort dhe për të evoluar mendërisht dhe spiritualisht një shkallë më lart, ashtu siç unë kërkoj të bëj gjithmonë ose shkon mbrapsht dhe nuk kthehesh më indietro. Është një fije peri që e ndan atë moment dhe unë pas 3 ditëve të para që i mbaj mend si nëpër ëndrra sepse nuk kam ngrënë, nuk kam pirë, nuk kam fjetur, nuk jam shtrirë në atë krevat, kam ndenjur në një karrige ulur në atë dhomë, se nuk dua ta quaj qeli, sepse tek e fundit nuk e ka fajin ajo, pse ta quaj qeli. Tek e fundit, ishte ajo ku unë banova për dy javë dhe u mundova dhe ta dua atë dhomë, që mos të shqetësohesha shumë. Muret ishim me emra, data, me mesazhe, poezi, kishte shumë për të parë nëpër mure dhe për të fantazuar dhe jo vetëm, por nëse përqendroheshe, kishte shumë energji të lënë aty brenda nga gjithë njerëzit, dhimbjen që kanë përjetuar aty brenda. E ripërsëris, ngaqë e dija që do dilja shpejt, pasi unë nuk kisha lidhje me atë histori, vendosa që ta përjetoja si një nga eksperiencat e jashtëzakonshme, të çmendura që më kanë ndodhur gjatë jetës dhe ta përdorja si mjet rritjeje psikologjike dhe spirituale dhe jo si mjet auto-shkatërrimi”, tha këngëtarja.