Lidhja Demokratike të Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kritikuar Qeverinë Kurti për mospublikim të draftit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, teksa kanë pak besim në Albin Kurtin si kryeministër.
LDK e AAK, thonë se mungesa e transparencës, qeverinë e ka përcjellë që nga fillimi. Ndërsa sa i përket kërkesës së faktorit ndërkombëtar që ky draft të mbahet i fshehtë, opozita ka kërkuar seancë të mbyllur.
Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, për eo tha se kryeministri Albin Kurti duhet ta informojë gjithë Kuvendin dhe jo vetëm partinë e tij.
“Është shqetësuese për ne si opozitë mos dorëzimi i draftit të Asociacionit sepse nga fillimi ky proces nuk ka pasur aspak transparencë. I njëjti njeri kur ka qenë në opozitë ka kërkuar që para dhe pas çdo takim, çdo dokument që vjen të prezantohet në Kuvend.
“Atë ditë edhe pas ftesë që e kemi bërë si parti nuk patëm qasje në atë dokument. Çdo kush duhet ta dijë se kah jemi duke shkuar si vend. Kryeministri Kurti duhet që të dijë fillimisht që nuk është kryeministër vetëm i partisë por është kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë duhet të jenë të informuar e sidomos në si deputetë”, u shpreh Krasniqi.
Ndonëse Kurti është shprehur se faktori ndërkombëtar i ka kërkuar konfidencialitet për këtë çështje, Krasniqi thotë se seancat mund të mbahen edhe të mbyllura dhe të informohen ata si deputetë.
“Unë e di që tha se ka kërkuar arena ndërkombëtare që me qenë konfidencial dokumenti, por në mundemi me mbajt seancë edhe të mbyllur, por edhe kryeministri mundet me thirrë në takim kryetarin e partisë për ta prezantuar draftin. Kurti nuk po mundet me tregu sepse ju e din se çfarë protestash dhe sa njeri është vrarë, është gjuajtur Kuvendi në atë kohë kur ai ka qenë në opozitë, puna e ‘Zajednicës’ që tash është Asociacion”, deklaroi ajo.
Kritika për mospublikim të këtij drafti ka shprehur edhe deputetja e AAK-së, Time Kadriaj e cila tha se ekzekutivi në raport me Kuvendin ka qenë i mbyllur.
“Nga fillimi kemi thënë se në raport me dialogun qeveria ka qenë hermetike në fakt, ka qenë jo transparente dhe jo llogaridhënëse karshi institucionit që duhet me i jep llogari, e institucioni që duhet me i dhanë llogari është Kuvendi i Kosovës”.
“Unë jam edhe pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Komisionit për Integrime ndoshta ai draft është dashur që të vijë edhe në Komisioni për Politik të Jashtëm, së paku për deputet të cilët janë anëtarë të atij komisioni”, tha ajo.
Duke folur për draftin e Asociacionit, Kadriaj thotë se e mira e saj është filtrimi nga Gjykata Kushtetuese, pasi thotë se nuk i beson aq shumë Kurtit.
“Ju e keni parë që kemi pasur një debat parlamentar ku Kurti është dashtë të raportoj, por në fakt nuk ka raportuar se nuk ka thënë asgjë. Është munduar t’i kamuflojë të gjitha këto dështimet e tij në raport me dialogun, por edhe premtimet që i ka dhënë që nuk do të dialogojë edhe që nuk do ta pranojë Asociacionin duke u fshehur pas asaj që nuk e ka nënshkruar”.
“Gjithë opinioni edhe Kuvendi nuk bënë me qenë në terr informativ se çfarë po ndodhë në Kosovë. E mira e gjithë kësaj është se ky draft-statut ka të drejtë të interpretimit në Gjykatën Kushtetuese, përndryshe nuk kam besuar që do të sjellë diçka të mirë Albini, duke u bazuar në atë që nuk ka dashur që të dialogoj fare”, deklaroi ajo.