Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili sot deklaroi se projekti i shkëmbimit të territoreve ka pasur homolog edhe në Kosovë.
Çitaku në reagimin e saj ka thënë se është turp që kryeministri Kurti merret me presidentin Thaçi dhe kjo vetëm shfaq vogëlsinë e tij.
Ajo tutje shkruan se rezultatat e qeverisjes Thaçi ndjehen kudo ndërsa rezultati i vetëm i Kurtit është një urë këmbësorësh në një fshat dhe një mori sanksionesh.
Reagimi i plotë:
Ka kohë që Kryeministri Kurti merret me Presidentin Thaçi, si në Kuvend të Kosovës ashtu edhe në vizita të tija jashtë vendit.
Kjo është një turp që vetëm sa e shpërfaq vogëlsinë e kryeministrit aktual dhe cektësinë e rezultateve te qeverisjes së sotme.
Presidenti Thaçi nuk ka mundësi t’ja kthej sepse eshte në paraburgim duke mbrojtur UÇK-në.
Poashtu, rezultatet e qeverisjes Thaçi, autostradat, aeroporti, njohjet dhe vetë pavarësia jonë, shihen, preken, udhëtohen, përjetohen, gëzohen. Rezultati i vetëm i Kurtit eshte nje ure këmbësorësh në një fshat dhe nje mori sanksionesh nga aleatët tonë. I pabesë si me tanët ashtu edhe me të huajt.