Kryeministri Albin Kurti në Forumin e Paqes në Paris foli për mundësinë e destabilizimit në rajon nën hijen e luftërave që po zhvillohen nëpër botë.
Ai tha se Rusia e do destabilizimin dhe se Beogradi në Ballkan shërben si dorë e zgjatur e saj, raporton Gazeta Express.
“Unë shqetësohem në fakt sepse në fqinjësi të federatës ruse kudo që nxiten konflikte të reja duhet të shfrytëzojnë ato resurset e tyre. Do të thotë që nga ushtria – nga vendet baltike e deri në Moldavi – është e qartë që Kremlini investohet me resurset e veta, investohet me financa, ushtri e kështu me radhë. Në Ballkan është rreziku i dyfishtë sepse Kremlini e eksporton atë. E bën me dorë të zgjatur përmes Beogradit zyrtar dhe përmes atyre grupeve si Wagner dhe Ujqit e Natës, të cilët i kemi parë që nga Republika Srpska e deri në Serbi”.
Kurti vuri në pah se nuk është vetëm lidhja e Serbisë me Rusinë, por edhe ajo me Kinën.
“Frikësohem sepse është më e volitshme për ta që ta bëjë këtë përhapje në Ballkanin Perëndimor. Nuk është vetëm Kremlini, sepse Serbia është kampione e investimeve kineze dhe një e treta e borxhit publik i përket Kinës. Rusia dhe Kina kanë disa dallime dhe ngjashmëri. Rusia dëshiron ta shohë SHBA-në të kolabuar, ndërsa Kina dëshiron që të bëhet Amerikë. Pra ka disa dallime që kanë rëndësi, por që besoj që BE duhet të ketë më shumë solidaritet dhe kemi një kosto oportune të madhe. Sepse ajo që mund të bëhet në Ballkan në muajt në vijim mund të mos jetë e mundshme në vitet vijuese”.
Kryeministri Kurti tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor qetësohet me njohjen mes vendeve dhe për këtë ai tha se Kosovës i duhet njohja de facto dhe de jure nga Serbia.
“Sa më shpejt që të normalizojmë marrëdhëniet me njohje de facto e de jure, them këtë sepse Serbia e njeh Bosnje e Hercegovinën de jure, por jo de facto sepse ka raporte të veçanta me Republikën Srpska që e shfrytëzon pushtetin e vet për të minuar shtetndërtimin demokratik, ndërsa në anën tonë Serbia na njeh de facto në shumë aspekte, por jo de jure. Pra, na duhet njohja de jure dhe de facto që të bëhet në gjithë rajonin dhe njëkohësisht një lloj simetrie të të drejtave të pakicave. E di që të drejtat e pakicave nuk mund të jenë identike, por edhe ky lloj disbalanci tejet i madh mes rajonit shkakton tensione kohë pas kohe, por që mund të jenë atraktive për disa qendra për destabilizim”.