Janë kërcënuar me vrasje gazetarët e medias lokale nga Vitia, Plus TV, Fatos Hetemi dhe Irfan Maliqi.
Redaksia e Plus TV, e ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se mesazhet kërcënuese me vrasje i kanë pranuar nga një llogari në rrjetin social Facebook, pas shkrimeve të fundit të kësaj medie lidhur me dy xhamitë në Komunën e Vitisë.
“Mesazhet kërcënuese me vrasje janë në drejtim drejtorit Fatos Hetemi dhe gazetarit Irfan Maliqi nga PlusTV…Këto kërcënime ndërlidhen me serinë e raportimeve të televizionit Plus lidhur me problemet e shqetësimet që kanë të bëjnë me xhamitë në Skifteraj dhe Ramnishtë, në këtë komunë, pasi Bashkësia Islame e Vitisë, në kuadër të BIK-ut, thotë se dy xhamitë, njëra në fshatin Skifteraj dhe tjetra në Ramnishtë, janë jashtë kontrollit dhe menaxhimit të BIK-ut dhe se frekuentohen nga njerëz të dyshimtë.”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e redaksisë.
Plus TV ka njoftuar se për kërcënimet i kanë njoftuar Policinë e Kosovës në Rajonin e Gjilanit. AGK-ja, e vlerëson shumë serioz dhe të rrezikshëm kërcënimin dhe e dënon në termat më të fortë.