Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Analistët në Serbi mendojnë se njohja faktike e Kosovës ka ndodhur

 
   

Në Serbi, shumica e serbëve mendojnë se Kosova është e humbur, por 60 për qind të tyre janë kundër njohjes së pavarësisë. Megjithatë, derisa nuk pritet të ketë njohje zyrtare, me njohjen e elementeve të shtetësisë si pasaportat apo letërnjoftimet, analistët deklarojnë se Serbia faktikisht duhet të merret me problemet e jetës së përditshme.

Lidhur me kërkesën e Perëndimit që Serbia ta njohë de facto Kosovën dhe refuzimin e Beogradit zyrtar, ekspertët thonë se kur është fjala për pranimin e ekzistencës së Kosovës, Serbia ka bërë shumë në mënyrë konkrete.

“Kemi një situatë ku shumica në Serbi beson se Kosova është e humbur, por mbi 60 për qind janë kundër çdo njohjeje të pavarësisë së Kosovës. Prandaj, një njohje zyrtare nuk do të ndodhë gjatë jetëve tona. Megjithatë, Serbia ka bërë shumë, ka njohur pasaportat, letërnjoftimet, kështu që i njeh veçoritë e shtetësisë së Kosovës dhe mendoj se ky është maksimumi që mund të presin autoritetet në Prishtinë nga kjo qeveri nacionaliste dhe ndoshta ndonjë tjetër, madje pak më liberale”, ka theksuar Naim Leo Beshiri nga Instituti për Çështjet Evropiane në Beograd për RTK.

Atmosfera në Serbi në lidhje me Kosovën më së shpeshti ndikohet nga çështja e njohjes së mundshme, ndërsa benifitet e normalizimit po mbesin në prapavijë. Ekspertët mendojnë se është e nevojshme rikthimi i jetës së përditshme.

“Kemi një atmosferë shumë të vështirë si për serbët në Kosovë, ashtu edhe për vetë shqiptarët. Është një atmosferë e rëndë që ua bën jetën të mjerë dhe i pengon të kthehen në përparim, zhvillim, kërkim të zgjidhjeve të mira për jetën e përditshme, kjo kërkon energji dhe Kosova në fakt mbahet në një lloj geto, që nuk është e mirë, asgjë e mirë nuk mund të dalë prej saj”, ka theksuar Jellica Miniq nga Lëvizja Evropiane në Serbi.

E përderisa palët janë të ftuara të vazhdojnë dialogun, një pjesë e opinionit në Beograd vlerëson se mungon vizion politik për pajtimin, sepse sa herë rriten tensionet gjithçka që është rënë dakord ndërpritet dhe shkon mbrapsht, ndërsa njerëzit jetojnë në dilemën nëse do të humbasin edhe një vit.