Ushtria e Ukrainës tha të shtunën vonë se situata në lindje dhe në jug të vendit “mbetet e vështirë”, duke përmendur sulmet e shpeshta ajrore dhe raketore ruse, në ditën kur Ukraina e shënoi përvjetorin e parë të çlirimit të qytetit strategjik, Herson.
Të shtunën vonë u raportua, po ashtu, se forcat ukrainase e çliruan fshatin Topoli në rajonin e Harkivit, rreth pesë kilometra larg kufirit rus.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës tha se forcat ruse i kryen 41 sulme ajrore dhe i hodhën 44 raketa të shtunën kundër “pozicioneve të trupave tona dhe zonave të populluara”, duke i goditur ndërtesat e banimit dhe zonat infrastrukturore.
“Fatkeqësisht, ka të vdekur dhe të plagosur në mesin e civilëve”, tha Shtabi i Përgjithshëm, pa dhënë hollësi.
“Situata operacionale në lindje dhe në jug të Ukrainës mbetet e vështirë”, tha ajo.
Ushtria shtoi se gjatë ditës, Forcat Ajrore Ukrainase kryen 10 sulme në “vendndodhjet e personelit, armëve dhe pajisjeve ushtarake të armikut”, duke thënë se e shkatërruan një sistem rus të raketave kundërajrore S-400, shkruan REL.
Forcat Ajrore lëshuan një alarm për sulme me dronë gjatë natës së shtunë, duke raportuar se forcat mbrojtëse kishin shkatërruar dronë në rajonet Dniprepertovski, Harkiv, Mikolaiv, Poltava, dhe Kiev.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, shkroi në Telegram se sistemet kundërajrore u aktivizuan dhe se civilët duhet të strehohen. Nuk u raportua për të lënduar.
Alarmi u lëshua teksa Ukraina po e shënonte përvjetorin e parë të çlirimit të qytetit jugor, Herson, qendra e vetme administrative rajonale e kapur nga forcat ruse gjatë pushtimit që Moska e nisi në shkurt 2022.