Sot luhet ndeshja me Kosovës dhe Izraelit. Ajo që është vënë në dyshim është siguria pas gjendjes së krijuar në Palestinë nga Izraeli.
Policia e Kosovëa ka dalë me njoftimi për ecurinë dhe sigurinë e kësaj ndeshje.
Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga qytetarët që sot të bëjnë zgjidhje alternative të parkimit apo të shfrytëzojnë transportin publik nga Trafiku Urban, pasi për shkak të ndeshjes së futbollit mes Kosovës e Izraelit, parkingu në rrugën “Dritan Hoxha” do të jetë i mbyllur sipas kërkesës së Policisë së Kosovës.
“Në organizim të kësaj ndeshje me rëndësi të veçantë për Republikën e Kosovës dhe Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), janë angazhuar si çdo herë FFK-ja, Policia e Kosovës (PK) për sa i përket aspektit të sigurisë, si dhe kompania e sigurimit privat për siguri në perimetrin e brendshëm. Bazuar në bashkëpunim të ndërsjellë me FFK-në dhe të gjithë akterët relevantë, si dhe bazuar në informacionet dhe vlerësimet operacionale, është hartuar urdhri operativ policor i cili ka për qëllim: Sigurinë e përgjithshme para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, shtimin e masave të sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, ndërmarrjen e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimin e të gjitha dukurive negative që shkaktojnë jostabilitet, parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonin qetësinë publike, shtimin e masave të sigurisë paraprake dhe kontrollimin e turmave eventuale para, gjatë dhe pas evenimentit sportiv si në perimetër të stadiumit e po ashtu sipas nevojës edhe në qytet, sheshe etj. mbrojtja e jetës dhe pronës publike e private”, thuhet në njoftim.
“Rruga rreth stadiumit do të jetë e bllokuar për qarkullim të automjeteve, lejohet vetëm lëvizja e këmbësorëve. Policia e Kosovës do të jetë e vendosur në perimetrin e sigurisë, me ç’rast do të bëjë filtrimin e shikuesve për moslejimin e bartjes së gjësendeve të palejuara apo të rrezikshme në portat hyrëse etj. Përveç tjerash përfshihen edhe rregullat për hyrje në stadium, andaj nga qytetarët/pjesëmarrësit në stadium që kanë siguruar bileta kërkohet që të kenë parasysh dhe t’iu përmbahen rregullave të parapara duke përfshirë:
Hapja e dyerve të stadiumit do të bëhet në orën 18:00, ku rekomandohet që ardhja në stadium të bëhet më herët, për shkak të shmangies së tollovive dhe krijimit të qasjes më të lehtë dhe të shpejtë në stadium. Kërkohet posedimi i dokumentit identifikues së bashku me biletë, përderisa ata që nuk posedojnë bileta nuk do të kenë mundësi të afrohen te portat e stadiumit. Veturat për qasje në parkingun zyrtar duhet të jenë të pajisura me parking PASS, në të kundërtën nuk do të lejohet parkimi në atë zonë (me përjashtim të veturave të FFK-së dhe personave të pajisur me biletën VIP). Ndërsa gjërat e palejuara përfshijnë: Mjetet piroteknike, Shishet e qelqit pavarësisht madhësisë, Shishet e plastikës pavarësisht madhësisë, Pijet alkoolike dhe substancat narkotike, ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit të fëmijëve 24 muajsh), ombrella, armë zjarri ose armë të ftohta apo çfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë, sende të rënda (çanta shpine, karrige të palosshme etj.), kamera profesionale dhe video kamera, çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar.
Përmes bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë në mes të Policisë së Kosovës, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe akterëve tjerë, është paraparë ndërmarrja e këtyre masave të nevojshme, me qëllim të menaxhimit dhe mbarëvajtjes sa më të mirë të kësaj ndeshje sportive, e cila është interes nacional për vendin dhe sportin”, thuhet tutje në njoftim.
Elezi: Kosova ka mjaftueshëm të përgatitur institucionet e saj të sigurisë
Bedri Elezi
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se nuk ka ndonjë shqetësim sa i përket ndeshjes së Izraelit me Kosovën.
Sipas tij, Kosova ka mjaftueshëm të përgatitur institucionet e saj, Policinë e cila sipas tij ka një përvojë të mirë për mbrojtje, për çështjen në fjalë.
“Sa i përket oraganizimit të ndeshjes futbollistike në mes Izraelit dhe Kosovës si dhe çështjes së sigurisë të pjesëtarëve të ekipit të kombëtares së Izraelit për shkak të zhvillimeve në Lidjen e Mesme, mendoj që nuk ka ndonjë shqetësim për çështjen në fjalë. Në institucionet e Kosovës ka pasur reagime të shumta sa i përket organizimit të ndeshjes mes Kosovës dhe Izraelit nën dyshimin se mund të organizohej ndonjë aktivitet i cili do të dëmtonte sigurinë apo do të ndikonte drejtpërdrejt në sigurinë në ekipin e Izraelit apo edhe ndonjë sulm siç ishte paralajmëruar më parë me rastin e ndeshjes në Shkodër ku dyshohej se atje ishin arrestuar persona se kishin organizuar sulm terrorist kundrejt pjesëtarëve të kombëtares.
Kosova ka mjaftueshëm të përgatitur institucionet e saj të sigurisë, ka Policinë e Kosovës e cila ka një përvojë të mirë sa i përket orgamzimit të mbrojtjes për aktivitete të veçanta, siç është ndeshje futbollistike, për shkak të rreziqeve atje, që vijnë nga organizimin i protestave kundër kombëtares së Izraelit për shkak të zhvillimeve që po ndodhin atje”, thotë ai.
Më tej, Elezi, thotë se Policia e Kosovës ka hartuar një plan operativ i cili do të organizojë vijat e sigurisë të perimetrit dhe po ashtu të kontrollohet çdo hyrje-dalje.
Në fund, deklaron se deri tani nuk kemi parë ndonjë interesim për ndonjë cenim të sigurisë.
“Policia e Kosovës në bazë të planeve operative që ka dhe në bazë të drejtorisë për Inteligjencë, analizon të gjitha aktivitetet që duhet të organizohen për siguri në rastin konkret duke marrë parasysh edhe rrethanat e krijuara nga vendi ku vjen ekipi i Izraelit. Gjthashtu, marrë parasysh edhe informacionet që merr nga burimet e saj përmes shërbimeve tjera siç është AKI apo edhe shërbime partnere të cilat me kujdes do të përcillinin një zhvillim të tillë.
Besoj se Policia ka hartuar një plan operativ për ndeshjen, i cili do të organizojë vijat e sigurisë së saj, perimerti do të rregullohet, dhe çdo hyrje-dalje do të kontrollohet paraprakisht veprimet eventuale të qytetarëve në perimetra të ndryshëm nga ku lëvizin anëtarët e Izraelit dhe po ashtu do të përcillen lëvizjet e parregullta në rrugët që çojnë në Aeroport. Ne besojmë se Kosova është shumë e përgatitur dhe mund të ofrojë siguri për të gjithë ekipin e Izraelit.
Sipas protokollit të Policisë së Kosovës do të ketë një organizim të strukturës standarde për siguri për çështjen e ndeshjes, por në ndërkohë mund të ketë nevojë që Policia e Kosovës të shtojë kapacitetet e saj në raste kur vërehet ndonjë organizim apo dyshim për dëmtim të sigurisë së përgjithshme. Nuk mendoj se ka nevojë për ndonjë strukturë shtesë prë siguri për këtë ndeshje. Neve që bashkëpunojmë, dhe në bazë të informacioneve në terren, nuk kemi parë ndonjë interesim të grupeve apo personave qoftë edhe ato radikaliste për të cenuar sigurinë”, përfunoi ai për “Bota sot”.
Tërnava: Ndeshja Kosovë-Izrael po konsiderohet si sfidë e madhe në rrafshin ndërkombëtar dhe të orientimit të saj perëndimor
Hajrullah Tërnava
Derisa, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, për “Bota sot” shpreh edhe frikën se mund të ndodhë diçka duke pasur parasysh fatin që në Kosovë shumica është me fenë myslimane dhe duke parë konfliktin me Izraelit dhe Palestinës, situata mund edhe të eskalojë.
“Sportet ndërkombëtare të reprezentacioneve që zhvillojnë gara sportive në vendin tonë, e sidomos në këto rrethana të konflikteve të tensionuara-tendosura sikur që ndodhi konflikti luftarak palestinez dhe izraelit, duke i marrur parasysh rrethanat aktuale gjeo-politike por edhe fetare në Kosovë, e tani sikur që pritet të luhet loja, e duke e pasur parasysh përkatësinë fetare të shqiptarëve si shumicë myslimane, ka dyshime se mund të ketë eskalim të situatës në përkrahje të palestinëzve, që situata politike në atë shtet është tepër e rëndë.
Kjo lojë mes këtyre dy shteteve Kosovë-Izraeli, mund të ketë pengesat e saj në përkrahje të vuajteve të popullates palestineze nga ana e qytetarëve tonë të cilët i përkasin fesë myslimane. Meqëse shteti i Kosovës është shtet multikulturor dhe gjithsesi se duhet ta kemi parasysh interesin tonë shtetëror, dhe duhet ta kemi të qartë se shteti i Izraelit e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe në shumë raste është duke na qëndruar pranë ndërkombëtarisht e kur dihet që Izraeli është miku i përbetuar, më i afërt i shtetit më të fortë të botës, Amerikës, prandaj gjithsesi që shteti i Kosovës, gjithashtu duhet t’i kontribuoj kësaj situate për të mirën e shtetit tonë, kështu që kjo lojë mes Kosovës dhe Izraelit të zhvillohet pa pengesa dhe në mënyrën më të mirë sportive”, thotë ai.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të harrojë se Izraeli qëndron me Kosovën dhe e ka njohur pavarësinë e saj.
Më tej, thekson se Palestina është shteti i cili na sheh si agresiv dhe Serbisë i qëndron në krah.
“Mos të harrojmë se Palestina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, përkundrazi ambasadori palestinez në Beograd deklarohet gjithnjë në favor të Serbisë, dhe neve shqiptarëve na llogarit si okupues agresiv të Kosovës, dhe Serbisë gjithnjë i qëndron në përkrahje, prandaj marr në tërësi shqiptarët duhen ta kenë këtë situatë të qartë, dhe t’i mbrojnë interesat tona shtetërore dhe të kontribuojnë që reprezentacioni i Izraelit të pritet mirë, dhe kjo lojë të zhvillohet në suazat sportive ndërkombëtare, dhe ky reprezentacion i Izraelit sa të qëndron në Kosovë, të pritet si ështe më së miri, deri në përcjelljen e tij”, deklaron eksperti.
Në fund, potencon se policia dhe shërbimet e tjera duhet të jenë të përgatitura mirë që ndeshja të jetë e suksesshme sa i përket sigurisë.
“Institucionet shtetërore e sidomos ato të punëve të brendeshme, që janë policia dhe të tjerat shërbime të sigurisë, duhen të jenë të vëmendshëm dhe të përgatitura, që kjo lojë mes këtyre dy shteteve të jetë e sukesesshme sa i përket sigurisë prej fillimit deri në mbarim, dhe institucionet e sigurisë duhet t’i kenë këto gjëra parasysh, dhe Izraeli ta kuptoj në bazë të angazhimeve të institucioneve dhe të qytetarëve të saj, që e ndjejnë miqësinë e madhe ndaj shtetit Izrael.
Efikasiteti i çështjeve të sigurisë, tani varet nga institucionet shtetërore të cilët janë kompetent për këto çështje të sigurisë, dhe në bazë të vlerësimeve të tyre të situatës në përgjithësi, ata vendosin se a do të kenë përforcime shtesë dhe angazhim më të madh nga policia dhe inteligjenca e vendit tonë, por vlerësimi më i mirë është që të angazhohen numër më i madh i policisë për këto ndeshje, s’paku që në preventive të ndikojë në opinion pamja e tyre, për të qenë kjo ndeshje sa më e sukeseseshme-sigurt”, përfundoi ai.