Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Diplomati izraelit përmend rastin e Kosovës si model për rrugëdalje nga konflikti në Gazë

Ndërkohë që forcat izraelite po vazhdojnë fushatën ushtarake kundër Hamasit në Rripin e Gazës dhe thirrjet për armëpushim po rriten, analistë thonë se tashmë po bëhet trysni mbi Izraelin për të propozuar një zgjidhje për Gazën e pasluftës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Alon Pinkas, diplomat izraelit dhe këshilltar i politikës së jashtme i disa ministrave dhe kryeministrave izraelitë, tha se një prani ndërkombëtare në Gazë, e ngjashme me administrimin ndërkombëtar të pasluftës në Kosovë mund të vendosë themelet e një procesi të ri politik si rrugëdalje nga konflikti në Lindje të Mesme.

Diplomati izraelit përmend rastin e Kosovës si model për rrugëdalje nga konflikti në Gazë

Ndërkohë që forcat izraelite po vazhdojnë fushatën ushtarake kundër Hamasit në Rripin e Gazës dhe thirrjet për armëpushim po rriten, analistë thonë se tashmë po bëhet trysni mbi Izraelin për të propozuar një zgjidhje për Gazën e pasluftës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Alon Pinkas, diplomat izraelit dhe këshilltar i politikës së jashtme i disa ministrave dhe kryeministrave izraelitë, tha se një prani ndërkombëtare në Gazë, e ngjashme me administrimin ndërkombëtar të pasluftës në Kosovë mund të vendosë themelet e një procesi të ri politik si rrugëdalje nga konflikti në Lindje të Mesme.

Lexo Edhe:

Kjo metodë shkakton humbje peshe prej 10 kg çdo 2 javë

Fehlinger- Dodikut: Bombat do të bien në ndërtesën tuaj të qeverisë së Ban…
Zëri i Amerikës: Zoti Pinkas, në një shkrim të fundit ju vini në dukje se ndërmjet Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ka ndryshime lidhur me periudhën pas përfundimit të luftës në Gazë. Cilat janë këto dallime, sipas jush?

Alon Pinkas: Po, ka dallime në qasje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Në javën e parë (të konfliktit), SHBA-të dërguan aeroplanmbajtëse, Presidenti Biden dhe Sekretari i shtetit, tri herë, vizituan Izraelin para se të shiheshin dallimet. Për Shtetet e Bashkuara shqetësimi kryesor në atë kohë ishte parandalimi i përshkallëzimit. Por u bë një muaj dhe theksi tani nuk është tek përshkallëzimi, por si e shohin amerikanët, për dallim nga Izraeli, planin e pasluftës. Amerikanët realisht po i thonë Izraelit se si në çdo luftë, siç na mëson (strategu ushtarak) Carl von Clausewitz, lufta është vazhdim i politikës, por me mjete të tjera, që do të thotë se duhet një qëllim politik, të cilit i shërbejnë burimet ushtarake. Ajo që tani po shohim është mungesa e të menduarit strategjik. Po shohim atë për çfarë ka pajtim – të qëllojmë Hamasin, ta shkatërrojmë Hamasin dhe ta rrëzojmë Hamasin. Por, çfarë ndodh të nesërmen? Dhe janë dy-tre pika kryesore ku ekziston dallimi ndërmjet Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara aktualisht. SHBA-të po pyeten se kush do ta qeverisë Gazën pas përfundimit të luftës. Me siguri që nuk do të jetë Izraeli. Me siguri nuk do të jetë Autoriteti Palestinez. Me siguri nuk do të jetë Egjipti. Dhe është shumë e sigurt se nuk do të jenë Shtetet e Bashkuara. SHBA-të po e pyesin Izraelin nëse kanë menduar për këtë gjë? Përgjigja është jo. Pyetja e dytë është, sa gjatë planifikoni të qëndroni në Gazë? Nëse Izraeli synon ta pushtojë Rripin e Gazës sërish, atëherë kjo ndryshon tërë dinamikën e bisedës për periudhën e pasluftës. Dhe e treta, sa do të zgjasë operacioni ushtarak? Numri i viktimave është i tillë, që do të ketë ndikim në zgjidhjen përfundimtare, apo në skenarin e periudhës së pasluftës.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, Kryeministri Netanyahu tha se Izraeli do ta mbikëqyrë Gazën për një periudhë të pakufizuar kohore pas luftës. Ju personalisht keni paralajmëruar kundër një zgjidhje të tillë dhe keni propozuar zgjidhje alternative, përfshirë një model të pranisë ndërkombëtare si në Kosovë, që do të rindërtonte dhe do të qeveriste para se t’ua transferonte kompetencat institucioneve vendase. A mund ta shpjegoni se si do të funksiononte një model i tillë?

Alon Pinkas: Në intervista me televizionet amerikane, zoti Netaynahu bëri një koment shumë të paqartë se Izraeli do të mbajë përgjegjësi të përgjithshme për sigurinë për një afat të pacaktuar kohor. Do të doja të dija se çfarë nënkupton kjo dhe nuk besoj që Presidenti Biden e ka të qartë se çfarë do të thotë kjo. Nuk besoj që në OKB, ose në NATO e dinë se çfarë nënkupton përgjegjësia e përgjithshme për sigurinë. Nëse Netanyahu planifikon të qëndrojë në Gazë, duhet ta thotë këtë qartë. Ajo që unë propozoj është diçka që e kam parë se amerikanët po i josh si ide. Po e quajnë forcë ndërkombëtare, ndërhyrje ndërkombëtare. Modeli është Kosova, vetëm për faktin që Kosova është shembulli i fundit. Timori Lindor është gjithashtu një shembull tjetër. Por Kosova është rast që njerëzit ende e mbajnë mend. Ideja e një protektorati, një modeli të ri, që dallon nga ai i vjetri pas Luftës së Dytë Botërore kur po de-kolonizohej Afrika, Azia dhe Azia juglindore. Ajo që është e qartë është se Izraeli nuk mund të sundojë dhe palestinezët nuk mund të qeverisin dhe për këtë arsye, duhet një periudhë e ndërmjetme gjatë të cilës një forcë ndërkombëtare të formojë një protektorat të modelit që do të ndërtonte, vepronte dhe transferonte (kompetencat). Mund të fillojë në Gazë, por mund të zgjerohet për të përfshirë Bregun Perëndimor dhe të krijonte themelet e një procesi, të cilin nuk dua ta quaj proces paqësor, por të paktën themelet e një procesi politik. Për një gjë të tillë duhet të pajtohen Izraeli dhe palestinezët, ndërkohë që SHBA-të kanë dhënë shenja që pajtohen krahas britanikëve. Për t’u bërë e pranueshme për palestinezët duhet ta ketë një komponent arab, në mënyrë që Rusia dhe Kina të mos përdorin të drejtën e vetos, nëse një plan i tillë arrin te Këshilli i Sigurimit.

Zëri i Amerikës: Në cilën organizatë, ose institucion, do të kërkohej një ndërhyrje e tillë ndërkombëtare? Në vitin 1999, në rastin e Kosovës, realiteti gjeopolitik ishte më ndryshe. Strukturat rajonale si Bashkimi Evropian dhe NATO ishin të gatshme të ndërhynin. Ku do të ndodhte sot ndërtimi i konsensusit?

Alon Pinkas: Është e vërtetë dhe unë nuk po bëj krahasim të plotë dhe të nxjerr përfundimin nga krahasimi ndërmjet Gazës e Bregut Perëndimor dhe Kosovës. Aty bëhej fjalë për Jugosllavinë, për konflikte etnike në atë rajon, kishte fuqi rajonale dhe fuqi të tjera. Në atë kohë Bashkimi Evropian po konsolidohej, Rusia ishte e dobët, Kina ishte larg të qenurit fuqi botërore dhe Shtetet e Bashkuara gjatë fundit të viteve ‘90 po dominonin në sistemin njëpolar. Andaj unë nuk po bëj krahasim mes të dyjave. Ajo që po them është se kjo mund të ndodhë nëse ka pajtim, që do të thotë nëse Autoriteti Palestinez bie dakord dhe Arabia Saudite ndihmon në financimin e një misioni ndërkombëtar, nëse Emiratet e Bashkuara Arabe ndihmojnë në krijimin e tij, nëse NATO është e gatshme të dëgojë ekspertë civilë, sepse askush nuk pret forcë ushtarake tash për tash. Mund të jetë edhe forcë e Kombeve të Bashkuara që vepron nën mbikqyrjen e Kombeve të Bashkuara. Nëse më toni se ekzistojnë 27 arsye të forta se përse se një gjë e tillë nuk do të funksionojë, do të pajtohem me ju. Por, unë i kam edhe 28 arsye se përse asgjë tjetër nuk ka funksionuar. Duhet të jemi me mendje të hapur. Po u them palestinezëve të jenë të hapur për një proces paqeje, fundi i të cilit do të rezultonte me lindjen e shtetit të tyre. Duhet të përfshihen në proces dhe të mos bëhen refuzues. Mos të thonë jo, mos të thonë se nuk do të funksionojë, vetëm nëse duan një valë të re dhune pas dy, tre ose katër vitesh.

Zëri i Amerikës: Si qëndron situata politike sot në Izrael dhe në territoret palestineze dhe si do ta përshkruanit atë?

Alon Pinkas: Ekziston një hendek i plotë, një vakum i tërë. Përkundër të gjitha dallimeve ndërmjet Izraelit, që është një shtet funksional, Autoritetit Palestinez që është një entitet pothuajse jofunksional dhe Gazës nën Hamasin, që është tërësisht jofunksionale, ekziston një emërues i përbashkët, udhëheqjet politike të tyre kanë rënë në një rutinë, me mungesë imagjinate, pa një qasje të re, duke menduar vetëm për të sotmen, jo për të nesërmen. Prandaj ndodhi 7 tetori. Pra, ka dobësi shumë të qarta në udhëheqjet politike të të dyja vendeve. Në rastin e palestinezëve, i njohim dobësitë dhe atributet e tyre politike. Por, në Izrael për momentin kemi një qeveri të ekstremit të djathtë, që nuk mendoj se do t’i mbijetojë luftës, këtij dështimi dhe kësaj krize. Qeveria do të shpërbëhet brenda disa muajve, nëse jo më parë. Pa hyrë në diskutime spekulative, në Izrael në këtë moment në pushtet është një qeveri që nuk pranon të diskutojë seriozisht një ide të tillë. Pala palestineze ka nevojë për qartësi. Duan të dinë se si do të përfundojnë gjërat në Gazë para se të futen në një proces politik.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ende ekziston rreziku i përshkallëzimit rajonal dhe zgjerimit të këtij konflikti në një luftë gjithpërfshirëse rajonale?

Alon Pinkas: Absolutisht. Janë dy lloje të përshkallëzimit. I pari, përshkallëzimi i planifikuar, i qëllimshëm i Hezbollahut, grupit militant shiit në Liban, që është tejet i armatosur, i mbështetur, i financuar dhe armatosur nga Irani, që do të merrte një vendim të qëllimshëm ta përshkallëzonte konfliktin për të shpëtuar Hamasin dhe për të krijuar vështirësi për Izraelin. Por një formë tjetër po aq e rrezikshme e përshkallëzimit është përshkallëzimi aksidental. Ky lloj përshkallëzimi që do të ishte rezultat i një keqllogaritje të qëllimeve të palëve, me sulme e hakmarrje që padashje shkaktojnë luftë gjithpërfshirëse. Në rastin e Libanit, konflikti është edhe më i gjerë, kjo është edhe arsyeja përse Shtetet e Bashkuara sollën përforcime këtu.

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni se do të ndodhë në të ardhmen me rajonin, Izraelin, palestinezët? Cili është epilogu?

Alon Pinkas: Është e vështirë të shohësh përtej shkatërrimit, tronditjes, mosbesimit për atë që ngjau me 7 tetor. Por nëse ka fat në fatkeqësi, atëherë kjo ngjarje e këtyre përmasave do t’i detyrojë palët ta bëjnë një gjë të tillë. Palëve do t’iu duhen disa muaj të kuptojnë që një situatë e këtillë është e paqëndrueshme, se mund të ndodhë sërish një 7 tetor tjetër… Arabia Saudite e kupton se atyre mund t’iu ndodhë diçka e ngjajshme dhe SHBA-të nuk do të duan të tërhiqen në këtë situatë. Andaj shoh një mundësi, për të cilën nuk do të vija bast, por megjithatë shoh mundësi që të dyja palët të fillojnë të mendojnë ndryshe.