Policia e Kosovës përmes një njoftimi publik thotë se ndeshja sportive ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, në aspektin e sigurisë ka kaluar e qetë dhe pa incidente.
Në njoftim thuhet se policia kishte bërë planifikimet e saj operacionale për menaxhim sa më të mirë, transmeton Telegrafi.
“Ndeshja sportive, e luajtur mbrëmë, në mes të kombëtares së Kosovës dhe Izraelit për kualifikime në EURO2024, vlerësuar në aspektin e sigurisë, ka kaluar e qetë dhe pa ndonjë incident që ka cenuar sigurinë publike dhe mbarëvajtjen e ndeshjes sportive. Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me FFK-në dhe akterët relevantë, ashtu siç e ka bërë të ditur me kohë, ka bërë planifikimet e saja operacionale për menaxhimin dhe mbarëvajtjen sa më të mirë të kësaj ndeshje sportive, duke u kujdesur për ofrimin e sigurisë që nga ardhja e kombëtares së Izraelit në Republikën e Kosovës e deri në kthimin e saj për në Izrael”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët, mediat dhe të gjitha institucionet për bashkëpunimin korrekt me Policinë e Kosovës, të cilët janë pjesë e meritës që ky event sportiv të kalojë i qetë dhe pa incidente.