Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shqipëria hyn në “garë” me 3 shtete për Dritan Rexhepin! SPAK kërkon ekstradimin e “mbretit” të drogës, por kush do ta “rrëmbejë” liderin e kartelit “Kompanio Bello”

NIKOLETA KOVAÇI/ SPAK ka përgatitur dosjen me të cilën pretendon të sjellë para drejtësisë sonë Dritan (Gramoz) Rexhepin, të konsideruar si baroni ndërkombëtar i drogës.

I arrestuar nga forcat e antidrogës turke, me sinjalin e policisë italiane, vlonjati 43 vjeç, kërkohet me ngulm nga Shqipëria për t’u sjellë përballë Prokurorisë së Posaçme, aty ku ndodhet edhe dosja e një prej krimeve më të tmerrshme të ndodhura në vendin tonë në dekadën e fundit.

SPAK do të përpiqet t’ua “rrëmbejë” shteteve të tjera që kanë të njëjtin interes për hetimin dhe gjykimin e të arrestuarit të Turqisë, për shkak se ndaj tij janë një mori çështjesh të hapura, si në Itali, Britaninë e Madhe dhe në Ekuador, vendi ku u arrestua, dënua dhe u la i lirë në një masë dënimi të lehtë, masë të cilën Rexhepi e shfrytëzoi të ‘arratisej’ nga vendi.

Edhe pse ende nuk ka asnjë informacion në lidhje me kohën e largimit nga Ekuadori, vendi nga ku ai nisi një mbretërim të ri me anë të trafikut ndërkombëtar të drogës, ndonëse lirimi i tij përkon me disa vrasje në qytetin port të Guayas. Nga aty, ku ai vuante edhe dënimin prej 13 vjetësh burgim dhënë nga gjykatat vendase, Rexhepi dyshohet se porositi rrëmbimin dhe mbajtën peng të Jan Prengës, në shenjë hakmarrjeje për një sasi lënde narkotike që ishte vjedhur në portet e Anglisë.

Për këtë sasi droge të zhdukur ishte vënë nën akuzë nga grupet kriminale, vëllai i Prengës, i cili më vonë ra në burg atje. Duke mos pasur mundësi të kishin përballje fizike më vëllanë që ata pretendonin që iu kishte vjedhur kokainën, u organizuar goditja në familje, ku në mesin e ditës, në mesin e qytetit të Kamzës u rrëmbye nga katër persona Jan Prenga. Ai u mor në një makinë fuoristradë, por fakti që policia u vu shumë vonë në dijeni të rrëmbimit, Jan Prenga dyshohet se ndërroi jetë para se sa të dërgoi në vendin ku edhe ishte parashikuar të mbahej peng.

Në fakt, për atë ngjarje të rëndë, ka pamje tronditëse, fakte dhe emra personazhesh të fuqishëm të botës së krimit në vend, ku asnjë prej tyre nuk është vënë në pranga. I vetmi person i ndëshkuar për atë ngjarje është vetëm kopshtari i resortit, nga ku u pa të dilte trupi i pajetë i pengut të mafies së kokainës për tu zhdukur sot e asaj dite.

DOSJA

Ditën e djeshme u bë me dije se Prokuroria e Posaçme ka përgatitur dosjen me të cilën do të kërkohet ekstradimi i Dritan Rexhepit nga Turqia, pas arrestimit të tij mëngjesin e 8 nëntorit. Materiali do t’i kalojë Ministrisë së Drejtësisë ditën e sotme, për tu nisur në rrugë zyrtare për në Turqi, pasi të përkthehet në gjuhën turke. Pjesë e dosjes do të jenë të gjitha vendimet në ngarkim të Dritan Rexhepit, të dhëna nga gjykatat shqiptare, dënimi për vrasjen e 2 policëve Arben Keqi dhe Durim Kasmi në vitin 1999, bashkëngjitur provat konkrete edhe për porositjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës me porosi të bosit të kokainës nga burgu ku ndodhej në Ekuador.

Në garë me Shqipërinë për ta ekstraduar “mbretin e arratisjeve” është edhe Italia, e cila ndihmoi autoritetet turke në gjurmimin e Rexhepit dhe më pas në arrestimin e tij në një vilë në periferi të Stambollit. Prangosja e bosit të kokainës ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare ndërkohë që tashmë nis edhe beteja për ekstradimin e tij. Ende nuk ka informacione në lidhje me dy shtete që e kërkojnë, nëse do të tentojnë ta marrin me çdo kusht Rexhepin për ta vënë përballë drejtësisë së tyre, por Shqipëria, me anë të përpilimit të të gjitha fakteve që e lidhin me ngjarjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës, tenton të përfitojë për shkak se ngjarja është jo vetëm e rëndë por edhe mjaft e ndjeshme.

Po përveç këtyre fakteve, për atë krim të rëndë ende nuk ka asnjë person të dënuar për rrëmbimin, vrasjen, zhdukjen dhe humbjen e gjurmëve të krimit të rëndë. Po ashtu Italia, autoritetet e së cilës e kërkojnë Rexhepin prej shumë vitesh dhe që e kanë gjurmuar të kërkuarin e tyre, kanë bërë kërkesë për ekstradimin e tij, ndërkohë që mediat e Ekuadorit prej ditësh ‘vlojnë’ me ngjarje të dyshimta me të cilat lidhin emrin e kapos së “Kompanio Bello” me to.