Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shoqëria Civile: Të shuhet ndërmarrja publike NKEC dhe të ndalet politizimi dhe kapja a saj

 
   

Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit: “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”, shpreh shqetësimin e thellë lidhur me mosveprimin e Qeverisë së Kosovës në raport më ndërmarrjen publike Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC), e cila kryen shpenzime buxhetore nga paratë publike, ndonëse nuk kryen asnjë funksion në tregun e energjisë në Kosovë.

NKEC ishte themeluar për të menaxhuar kontratën e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, marrëveshje në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global, projekt ky tashmë i anuluar.

Megjithatë, NKEC nuk ka nisur asnjëherë operimin efektiv, duke mos mbuluar asnjë pjesë në tregun e energjisë në vend, përkundër prezentimit të planeve të biznesit tek Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (Njësia) pranë Ministrisë së Ekonomisë në vitet 2020 dhe 2021.

Në vitin 2020, edhe Zyra Kombëtare e Auditimit kishte rekomanduar që në rast të anulimit të projektit “Kosova e re”, “bordi i drejtorëve në bashkëpunim me Qeverinë (aksionarin) duhet të kenë vizion të qartë se si do të jetë e ardhmja e ndërmarrjës …”, duke marrë parasysh se i gjithë fushëveprimi i kësaj ndërmarrjeje ndërlidhej me realizimin ose jo të një projekti të vetëm (“Kosovës së re”). Përkundër kësaj, Qeveria duke mos e mbyllur këtë ndërmarrje ose duke mos i dhënë rol tjetër në tregun e energjisë, po lejon që ajo të jetë barrë buxhetore për vendin. Sipas deklarimeve në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), vetëm kosto e pagesave për anëtarët e bordit dhe stafit të ndërmarrjes për vitin 2022, kap vlerën e rreth 96 mijë eurove, ndërsa vetëm Kryeshefi Ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje kishte pagë mujore prej 2,000 euro.

Në komunikatën e datës 27 mars 2019 të subjektit politik që sot qeveris me vendin ishte thënë se NKEC “do të jetë “vrima e zezë” e buxhetit të Kosovës në dekadat e ardhshme.”

Për më tepër, në qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës emëroi anëtarët e ri të bordit të kësaj ndërmarrje, pas shkarkimit të bordit të vjetër, pavarësisht që ndërmarrja mbetet jo aktive. Për më tepër, në bordin aktual ka anëtarë të emëruar në kundërshtin me Ligjin për ndërmarrjet publike. Anëtarja e bordit, znj. Elvisa Destanovic ka garuar me iniciativën “INICJATIVA BOSNJACKOG JEDINTSVA” në garën për zgjedhjet komunale për Kuvendin e Istogut në vitin 2021. Sipas Ligjit për Ndërmarrjet publike, askush nuk mund të emërohet në Bordin e Drejtorëve nëse “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”.

Marrë parasysh argumentet e lartëpërmendura, përmes këtij reagimi, CorrWatch kërkon që Qeveria e Kosovës të vendosë sa më shpejtë lidhur me këtë ndërmarrje, nëse dëshiron t’i ngarkojë një rol në sektorin e energjisë ose ta mbyllë krejtësisht atë, meqë e njëjta është barrë buxhetore e shtetit të Kosovës.