Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Halitjaha thotë se gjatë kohës së luftës s’ka pas Gjykatë, mirëpo ka pasur plane për krijimin e saj

 
   

Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka thënë se gjatë kohës së luftës nuk ka pas gjykatë, mirëpo ka qenë e planifikuar që të krijohet.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Kadri Veselit, përmes avokatit Ben Emmerson, Halitjaha tha se po të zgjaste lufta do të ndodhte një gjë e tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk ka pas gjykatë të shkallës së dytë e as të parë. E dëshirueshme ka qenë, është kërku që të bëhet, të ofrohen jurist, të bëhen njerëz profesional, të bëhen lokale, të vazhdohet. Po të zgjaste lufta edhe 2 vjet 3 jam i bindur që do të kishte ndodhur por edhe më shpejt, por që nuk kemi pas, nuk i kemi pas”, tha Halitjaha.

Dëshmitari Halitjaha tha se ka qenë në plan që të formohet edhe akademi ushtarake në nivel qendror si dhe udhëheqës i këtij plani ishte caktuar “Komandat Drini”.

“Ka qenë e planit të formohet një akademi ushtarake e nivelit qendror dhe Drini është caktu drejtor i asaj akademie, apo komandant i asaj akademie. Deri sa ne kemi bërë disa ushtrime edhe më herët, e kemi fol edhe në seancën tjetër është mëndu që të bëhet një akademi për ushtrimin e ushtarëve dhe oficerëve, është mëndu se nuk ka pas deri atëherë”, tha Halitjaha.

Halitjaha foli edhe për strukturat organizative dhe për personat të cilët u zëvendësuan në Shtabin e Përgjithshëm pasi disa individ kaluan në institucionet e Qeverisë së përkohshme të atëhershme të Kosovës.

“(Bislim Zyrapi) Është zëvendësu me 17 prill, Agim Ceku është emri Shef i Shtabit të UCK-së. “Agim Ceku u bë shef i Shtabit ndërsa Sylejman Selimi më vonë u caktu shef i gradës. Ka pas ndryshime, ka pas lëvizje. Fatmiri e di që është ba zëvendësministër i Mbrojtjes, jo Bislimi. Bislimi e di që është kthy për me e organizu shigjetën”, tha Halitaj.

Sipas Emmerson, në librin e Halitajt thuhej se Azem Syla përshkruhej si komandant i përgjithshëm mirëpo pas këtyre rikunstrokturimeve në shtab, ai u bë Ministër i Mbrojtjes në formacionin e ri të Qeverisë së Përkohshme. Sipas kësaj, pozita e Sylës ishte e veçantë nga Shtabi i Përgjithshëm.

Duke folur për fillimet e UÇK-së, Halitjaha tha se nuk pranon që të quhej organizatë UÇK-ja, ndërsa pohoi se në fillimet e saj UÇK-ja ka qenë e strukturuar si ‘xhepa-xhepa’ ushtarësh pasi kishte persona që merrnin vetë role si komandant lokal.

Halitjaha tha se pas strukturimit të UÇK-së, vetëm Zona Operative e Pashtrikut ka pasur rreth 10 mijë ushtarë.

Sadik Halitjahaj në mesin e disa dokumenteve iu preznatua edhe një dokument për të cilin avokati Emmerson tha se mban mbishkrimin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, rregullorja disiplinore, Prishtinë 1998”.

Halitjaha tha se nuk ka pas rregullore Shtabi i Përgjithshme dhe se këtë dokument e kanë bërë në Zonën Operative në Pashtrik.

“Nuk ka pas rregullore Shtabi i Përgjithshme. Këto i kemi bërë ne në Zonën Operative të Pashtrikut, tri i kemi pas ne”, tha Halitjaha i cili tha se për këtë dokument nuk mund të hekte dorë se nuk është krijuar në Zonën Operative të Pashtrikut.

Halitjaha thotë se ata kanë krijuar tri rregullore; Rregullorja disiplinore, rreshtore, dhe rregullore e objekteve me rendësi të veçantë dhe policisë.

Ndërsa, për rregulloren e prezantuar nga Emmerson, Halitjaha tha se iu është dorëzu edhe shtabit të përgjithshëm për të cilën nuk e di nëse e ka marrë dikush ose jo.

Në fund të kësaj seance u pranuan disa prova materiale me kërkesën e mbrojtjes së Rexhep Selimit përmes avokatit Geoffrey Roberts dhe mbrojtja e Hashim Thacit përmes avokatit, Gregory Keohe.

Ndërsa, për një çështje të caktuar, avokati Ben Emmerson kërkoi që të diskutohet në seancë private gjë e cila u aprovua nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Ndryshe, dëshmitari Sadik Halitjaha, dëshminë e tij do të vazhdojë edhe ditën e nesërme duke filluar nga ora 09:00 me 45 minuta vonesë në transmetim.