Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lifestyle

Jeni pa energji dhe ndieni lodhje gjithë ditën? Ja ushqimet që mungojnë në dietën tuaj

Ndiheni të lodhur vazhdimisht dhe pa energji? Kjo situatë mund të jetë jashtëzakonisht zhgënjyese për t’u përballuar, veçanërisht nëse nuk mund ta kuptoni se ku qëndron problemi.

 

Pavarësisht se sa shumë flini ose sa kafeinë konsumoni, ju mund të kuptoni se jeni të lodhur gjatë gjithë ditës. Siç rezulton, një nga fushat më të rëndësishme për t’u analizuar, është dieta juaj.

 

Marrja e lëndëve të duhura ushqyese në vaktet tuaja, është një pjesë kyçe për t’i mundësuar trurit të funksionojë në mënyrën më të mirë, veçanërisht kur bëhet fjalë për nivelet e energjisë. Nëse luftoni rregullisht me lodhjen, mund t’ju mungojnë disa ushqime thelbësore.

 

Ushqimet e pasura me hekur, karbohidrate komplekse, yndyra të shëndetshme dhe proteina, duhet të jenë prioritet. Mësoni më shumë për rëndësinë e secilit më poshtë.

 

Ushqim i pasur me hekur

 

Mungesa e hekurit është një nga shkaqet e zakonshme të lodhjes. Ky mineral luan një rol të rëndësishëm në një sërë funksionesh trupore, duke përfshirë transportin e oksigjenit në gjak, i cili është jetik për furnizimin me energji.

Prandaj, përfshirja e ushqimeve të pasura me hekur, si zarzavatet me gjethe, mishi i kuq dhe drithërat e fortifikuara, mund të ndihmojnë në zbutjen e lodhjes së shkaktuar nga mungesa e hekurit.

 

Karbohidratet komplekse

 

Karbohidratet janë një tjetër komponent i vlefshëm që duhet të jetë i pranishëm në të gjitha vaktet tuaja, veçanërisht nëse dëshironi t’i mbani të larta nivelet e energjisë. Drithërat integrale dhe karbohidratet komplekse çlirojnë energji në mënyrë të qëndrueshme, duke shmangur nivelet e larta dhe të ulëta të shkaktuara nga sheqernat e thjeshta.

 

Sidoqoftë, është e rëndësishme të mbani mend se zgjedhja e karbohidrateve komplekse është thelbësore. Karbohidratet e rafinuara, të tilla si ato që gjenden në bukën e bardhë dhe ushqimet tjera të përpunuara, mund të jenë të dëmshme për shëndetin tuaj.

 

Për fat të mirë, ka shumë karbohidrate të shijshme të shëndetshme për të zgjedhur, si orizi kafe, buka e grurit, kuinoa dhe të tjera.

 

Yndyrat e shëndetshme

 

Mos kini frikë nga yndyra, edhe nëse jeni duke u përpjekur të humbni peshë. Është gjithmonë e rëndësishme të përfshini yndyrna të shëndetshme (të njohura si omega-3 dhe omega-6) në vaktet tuaja, pasi janë thelbësore për funksionin e trurit, disponimin, rregullimin dhe prodhimin e energjisë.

 

Ka shumë yndyra të shëndetshme dhe shumë prej tyre janë të shijshme. Opsionet, si avokado, frutat arrore, farat, vaji i ullirit dhe të tjera, jo vetëm që do ta ndihmojnë trurin tuaj të funksionojë siç duhet, por gjithashtu mund të ndihmojnë për të patur një zemër më të shëndetshme.

 

Proteinat

 

Dihet mirë se proteina është një nga gjërat më të rëndësishme në dietën tuaj. Ky makronutrient ndihmon në ndërtimin e muskujve dhe kockave, krijimin e hormoneve dhe enzimave dhe furnizon trupin dhe trurin me energji.

 

Ngrënia e ushqimeve të pasura me proteina, si mishi pa dhjamë, bishtajoret dhe produktet e qumështit, ndihmojnë në mbajtjen e niveleve të qëndrueshme të sheqerit në gjak dhe reduktojnë lodhjen.

 

Edhe pse mishi i pulës dhe gjeli i detit  janë disa nga opsionet më të njohura të proteinave, ka shumë proteina me bazë bimore që janë po aq të shëndetshme dhe të shijshme. Pavarësisht se nga e merrni atë, është e rëndësishme të shtoni një formë proteine në pjatën tuaj çdo ditë.