Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Diturije Deliun, e cila nuk u mbijetoi plagëve të marra nga forcat serbe.
“Diturija është foshnja që fle. Përjetësisht. Kështu është përjetësuar në pllakën përkujtimore”, shkruan ai.
Postimi i plotë:
Diturije Deliu do të festonte sivjet ditëlindjen e 25-të.
Ishte e vetmja që i mbijetoi masakrës së 26 shtatorit 1998. I kishte gjashtë javë. Forcat e armatosura serbe ia masakruan 22 anëtarë të familjes.
Ajo u gjetë e gjallë. Fshehur nën trupin e nënës Lumnije. Nënës mburojë.
E mbijetuara e masakrës në Abri të Epërme nuk mbijetoi. Ajo vdiq më 19 nëntor, rrugës për në fshatin Tërdec, gjersa gjyshi i saj, Bajram Fejza dhe halla e saj, Bedrie Deliu Fejza, po e dërgonin për në spitalin ushatarak të UÇK-së.
I kishte vetëm 95 ditë.
Diturija është foshnja që fle. Përjetësisht. Kështu është përjetësuar në pllakën përkujtimore.
I përjetshëm është kujtimi për të.
Të paharruara e të pafalshme janë krimet e Serbisë në Kosovë.