Serbia vazhdon të bëjë shkelje në marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Ndonëse Kosova e Serbia ranë në ujdi për një sërë marrëveshjesh ndër vite, shumica e tyre nuk po gjejnë zbatim.
Së fundmi Serbia shkeli një pikë të marrëveshjes, atë të ofrimit të sigurisë fizike për diplomatët nga Kosova.
Ishte sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, që alarmoi se shteti serb ia ka ndalur së ofruari sigurinë fizike për të si diplomat.
Haxholli këtë veprim e ka cilësuar si precedent të rrezikshëm.
Arifi: Diplomacia evropiane duhet shumë ashpër t’i reagojë sjelljeve ndaj rastit konkret të Haxhollit
Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi në një prononcim për “Bota sot” tha se ndalimi i ofrimit të sigurisë për diplomatin Haxholli është shkelje flagrante nga ana e Serbisë.
Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi
Ai kërkoi një reagim të ashpër nga Bashkimi Evropian ndaj këtyre sjelljeve të Serbisë.
“Sa i përket Marrëveshjes së Brukselit, që Serbia duhet t’i ofrojë siguri diplomatëve kosovarë në Zyrën Ndërlidhëse në Beograd, është një akt flagrant i shkeljes së kësaj marrëveshje, por në anën tjetër Serbia është shtet që shumë lehtë pranon marrëveshje, por shumë vështirë i zbaton.
Mendoj se BE-ja, diplomacia evropiane duhet shumë ashpër t’i reagojë sjelljeve ndaj rastit konkret të z. Haxholli. BE për fat të keq nuk ka reaguar edhe në rastin e Banjskës dhe në çdo mënyrë duhet të sanksionohet Serbia si në aspektin politik edhe ekonomik”, deklaroi kryetari i Bujanocit.
Krahas kësaj, tha se Serbia është shteti me destabilizues në Ballkan, ku në vazhdimësi provokon dhe sulmon shtetet e rajonit, veçanërisht Kosovën.
“Serbia edhe më parë, por edhe tash po dëshmon se është një shtet destabilizues në Ballkanin Perëndimor me politikat e saja ndaj Republikës së Kosovës. Dëshmia më e madhe e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor nga ana e Serbisë është rasti i Banjskës, ku terroristëve i dha mbështetje logjistike, por edhe direkte për ta destabilizuar shtetin e Kosovës. Por, edhe ky rast i fundit dëshmon se është shtet destabilizues.
Serbia ka qenë, është dhe për fat keq sipas të gjitha gjasave do të jetë shtet destabilizues në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Nagip Arifi për “Bota sot”.
Hasani: Rusia përmes Serbisë dëshiron të nisë luftë në Ballkan!
Kurse, analisti nga Presheva, Refik Hasani në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se është alarmuese se si Serbi nuk po pranon të ofrojë siguri ndaj diplomatëve shqiptarë.
Analisti nga Presheva, Refik Hasani
Këtë gjë, sipas tij e bënë pasi nuk e pranon Kosovën.
“Vërtet është alarmuese kur Serbia, ka ndalur së ofruari sigurinë fizike për të si diplomatë e Kosovës, nuk dimë se vetëm për diplomatë e personelin e akredituar në Beograd, që janë në nga Kosova nuk afron siguri, apo edhe për ndonjë diplomat.
Sido që të jetë Serbia, është nënshkruese e gjithë akteve dhe konventave që rregulloj përfaqësitë diplomatike dhe sigurinë e tyre, Serbia nuk e pranon Republikën e Kosovës, prandaj edhe nuk ofron sigurinë fizike për diplomatët e Kosovës”, deklaroi ai.
Sipas tij, kjo shkelje e marrëveshjes nga ana e shtetit serb do duhej të nxiste reagimin e të gjithë diplomatëve ndërkombëtarë.
“Gjithë kori diplomatik i akredituar në Beograd, nga e gjithë globi mbarë, do të duhej të reagonte për mos afrimin në sigurinë fizike për diplomat e Kosovës.
Instanca e mekanizma të BE-së, do të duhej reagojnë, duke kërkuar nga Serbia, fillimisht të ndryshojë preambulën e Kushtetutës në fuqi të Serbisë”, theksoi analisti.
Hasani potencoi faktin se kjo nuk është marrëveshja e vetme që po e shkel Serbia, derisa tha se nuk e zbaton asnjë marrëveshje me Kosovën.
“Serbia si aleati më i besueshëm i Rusisë, nuk është duke shkelur vetëm këtë pikë të marrëveshjes, por Serbia asnjë marrëveshje nuk është duke e zbatuar.
Serbia, tani së fundi pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, po shfaq sinjal të hapura për pretendime tjera të reja duke e mohuar shtetësinë e Republikës së Kosovës”.
Në fund, komentoi edhe afërsinë e Serbisë me Rusinë, dhe planet e tyre për destabilizimin e rajonit të Ballkanit.
“Rusia përmes aleatit të Serbisë, dëshiron të vazhdon me sulme tjera terroristë, sikur në Banjskë të Zveçanit,
Këtë konstatim, e ceku dhe e pranoi, para dy ditësh edhe Presidenti i Ukrainës, z. Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e madhe rajonit të Ballkanit, pasi sipas tij, ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.
Qëllimi i Serbisë dëshiron të aneksojë dhe kryej invazion, jo vetëm në Kosovë, por të marrë rolin dominant edhe në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, duke ndarë Republikë Sërpska nga Bosnjë e Hercegovina”, përmbylli Refik Hasani për “Bota sot”.