Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Për të ngritur turizmin, Kina heq vizat përkohësisht për disa shtete

Kina do të heq përkohësisht vizat për banorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Holandës, Spanjës dhe Malajzisë, kjo si një përpjekje për t’i dhënë shtysë turizmit pas pandemisë COVID-19.

Nga 1 dhjetori deri më 30 nëntor të vitit të ardhshëm, qytetarët e atyre vendeve që hyjnë në Kinë për biznes, turizëm, vizitë të afërmve dhe miqve, ose tranzit për jo më shumë se 15 ditë, nuk do të kenë nevojë për vizë, tha të premten një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, shkruan Reuters.

Kina ka ndërmarrë hapa në muajt e fundit – duke përfshirë rivendosjen e linjave të fluturimeve ndërkombëtare – për të ringjallur sektorin e saj të turizmit pas tre vjetëve nën masa të rrepta COVID-19 që mbyllën kryesisht kufijtë e saj me botën e jashtme. Qeveria po kërkon gjithashtu të rivendosë imazhin e saj në mbarë botën pas përplasjes me shumë vende perëndimore për çështje të ndryshme, përfshirë COVID-in, të drejtat e njeriut, Tajvanin dhe tregtinë.

Një studim i fundit i Qendrës Kërkimore “Pew” në 24 vende zbuloi se pikëpamjet për Kinën ishin përgjithësisht negative, me 67% të të rriturve që shprehnin pikëpamje të pafavorshme. Më shumë se gjysma e të anketuarve thanë se Kina ndërhynte në punët e vendeve të tjera dhe nuk merrte parasysh interesat e të tjerëve.

“Ky vendim do të lehtësojë udhëtimin në Kinë për shumë shtetas gjermanë në një masë të paprecedentë,” tha ambasadorja e Gjermanisë në Kinë, Patricia Flor, në platformën e mediave sociale X, e njohur më parë si Twitter.

“Shpresojmë që qeveria kineze të zbatojë masat e shpallura sot për të gjitha vendet anëtare të BE-së”, tha ajo. Ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna, e cila ndodhet në Pekin, shkroi në X.

Këtë muaj, Kina zgjeroi politikën e saj të tranzitit pa viza në 54 vende për të përfshirë qytetarët e Norvegjisë. Fluturimet ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit, ndërkohë që po rikuperohen më ngadalë se shërbimet në rrjetin e brendshëm, janë rritur. Autoriteti i aviacionit i Kinës tha në tetor se 16,680 fluturime javore priten nga nëntori deri në mars, me fluturimet e pasagjerëve që pritet të arrijnë në 71% të totalit katër vjet më parë.