Në fushatën elektorale për zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, Vuçiç i është kthyer temës së Kosovës. Në fjalimet elektorale, ai deklaron se qeveria e partisë së tij dhe ai si president nuk kanë firmosur asnjë akt që e njeh Kosovën.
Kundërshtarët politikë të Partisë Progresiste Serbe që drejtohet nga Vuçiç, e akuzojnë këtë të fundit, se me politikat që ka ndjekur ka çuar drejt njohjes së Kosovës.
Por Vuçiç deklaron se prej 11 vitesh që është në pushtet, si kryeministër dhe më pas si president nuk ka lëshuar asgjë nga sovraniteti i Serbisë.
Në fjalën e tij, Vuçiç pati dhe një mesazh që u drejtohej ndërkombëtarëve. Ai deklaroi se: “Pas 11 vitesh na kërkohet sërish të njohim Kosovën. Unë u them se nuk do t’a njohim kurrë atë dhe do të ndjekim një politikë të kujdesshme”.
Ndërkohë kryetari i partisë progresive serbe, Milosh Vuçeviç, sulmoi opozitën duke deklaruar se ata që premtojnë mbrojtje të Kosovës do ta njohin atë brenda pak kohësh dhe do të vendosin sanksione ndaj Rusisë.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi kanë ndaluar procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Partia serbe që qeverisë vendin ka ashpërsuar tonet ndaj ndërkombëtareve për çështjen e Kosovës, për të mos lejuar votën kundër të elektoratit nacionalist.