Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca plenare gjatë kësaj jave. Deputetët do të diskutojnë paraditen e së enjtes për raportin e progresit, kurse pasdite në një seancë të veçantë do të hidhen në votim disa marrëveshje ndërkombëtare dhe Projektligji për fondin sovran. Ndërkaq, të premten do të mbahet seancë e veçantë me pyetjet parlamentare të deputetëve karshi kabinetit qeveritar. Në lidhje me Projektligjin për fondin sovran, dy partitë opozitare, PDK dhe AAK e kualifikuan si të dëmshëm për vendin dhe antikushtetues.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, theksoi nevojën e miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe Projektligjit për fondin sovran.
Muja: Do të hedhet në votim Projektligji për fondin sovran
“Kemi dakordim që të enjten të mbahen dy seanca, ndërkohë edhe të premten do të mbahet një seancë e posaçme për pyetjet parlamentare. Të enjten seanca e parë fillon në orën 10:00 dhe do të diskutohet për raportin e progresit dhe seanca e dytë do të fillojë në orën 16:00 ku do të hedhen në votim marrëveshjet ndërkombëtare, Projektligji për fondin sovran dhe Projektligji për artin dhe kulturën”, tha ai.
Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se Projektligji për fondin sovran është i padobishëm dhe që nuk mundet të akomodohen brenda sistemit kushtetues.
Ai paralajmëroi se nëse miratohet në lexim të dytë të enjten do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Tahiri: Ne e kundërshtojmë Projektligjin për fondin sovran, është një strukturë
“Ne si Grup Parlamentar i PDK-së e kemi kundërshtuar këtë projektligj. Konsiderojmë që në kuadër të strukturës ekonomike të vendit dhe rendit tonë kushtetues është e pamundur të vendoset një strukturë e tillë. Në anën tjetër edhe sa i përket benefiteve ne konsiderojmë se është vetëm një strukturë burokratike në kuadër të vendimmarrjes që lidhet me çështje ekonomike, me ndërmarrjet publike dhe AKP-në. Konsiderojmë se është një strukturë ekonomike e padobishme…Ne do të dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe jemi të bindur se kjo strukturë e ka vetëm një formë që të ndërtohet, vetëm me ndryshime kushtetuese”, tha Tahiri.
Kundërshtimin ndaj këtij projektligji e shprehu edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Tahiri: Është një ligj që e dëmton në esencë funksionimin e çfarëdo logjike ekonomike
“Është një ligj që e dëmton në esencë funksionimin e çfarëdo logjike ekonomike në këtë vend. Aleanca e kundërshton dhe është ligj kundër kushtetues që do të adresohet në instancat më të larta kushtetuese”, theksoi Tahiri.
Krahas kësaj, ai kërkoi nga qeveria që të mbështesë më shumë kategoritë e dala nga lufta.