Papa Françesku ndërpreu fjalimin e tij në një ngjarje publike këtë të mërkurë, një ditë pasi ai anuloi një udhëtim në samitin e klimës COP28 në Dubai për shkak të problemeve shëndetësore.
“Të dashur vëllezër dhe motra, mirëmëngjesi dhe mirëserdhët”, tha 86-vjeçari para audiencës së tij javore, të mbajtur në ambientet e mbyllura në sallën Pali IV të Vatikanit.
Më pas ai lajmëroi se një ndihmës do të lexonte tekstin kryesor në vend të tij.
“Unë ende nuk jam mirë me këtë grip dhe zëri nuk është i këndshëm”,-u shpreh Papa.
Të martën, Vatikani tha se Françesku nuk do të bënte më një udhëtim të planifikuar tre-ditor në Dubai, duke filluar nga e premtja, për COP28 me urdhër të mjekut.
“Megjithëse gjendja e përgjithshme klinike e Atit të Shenjtë është përmirësuar në lidhje me gripin dhe inflamacionin e traktit respirator, mjekët i kanë kërkuar Papës që të mos bëjë udhëtimin”, thuhet në deklaratë.
Papa Françesku, i cili ka probleme me ecjen për shkak të një sëmundjeje në gju dhe nganjëherë përdor një karrige me rrota, mbërriti në audiencën e tij të mërkurën duke ecur, i ndihmuar nga një bastun.
Ai i falënderoi ata që ofruan një “moment gëzimi”, shkruan Reuters. /euronewsal