Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pacolli për Naim Murselin: S’do mendoja kurrë që ai do kryente një akt kaq tmerrues, drejtësia t’ia tregojë vendin e merituar

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka reaguar sërish pas ngjarjes së rëndë që ka ndodhur në Prishtinë ku ish-këshilltari i tij, Naim Murseli, dyshohet se ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Pacolli ka thënë se Murselin e njeh prej vitesh dhe kanë pasur marrëdhënie të mira me familjen e tij.

Ai është shprehur i prekur me tragjedinë, teksa ka thënë se nuk do mendonte kurrë që Naimi do kryente një akt kaq tmerrues.

Sipas tij, çdo individ është përgjegjës për veprimet e veta dhe drejtësia duhet t’ia tregojë secilit vendin e merituar.

“Gjatë mandatit tim si MiPJ, kam pritur figura politike (deputetë e kryetarë komunash nga Suedija), ku ai ka qenë pjesë e përcjelljes së tyre. Kështu lindi ideja, me kërkesën e tij, për ta nominuar si bashkëpuntor (këshilltar) të jashtëm (pro bono) gjatë mandatit tim në qeveri.

Përveç kësaj, kam ruajtur një marrëdhënie të mirë me familjen e tij. Madje, une dhe shoqja ime ishim kumbarë të djalit të tyre. Liridona kishte miqësi me familjen time.

Tragjedia e fundit më ka prekur thellë, dhe bashkëndjejmë në dhimbjen e familjes së Liridonës dhe fëmijëve.

Nuk kam pasuar dijeni për ndonjë precedent konflikti për Naimin. Jam i prirur të besoj vetëm në anën pozitive të njerëzve dhe nuk do të mendoja kurrë se ai do të përfundonte në një akt kaq tmerrues.

Kam mbajtur heshtje këto ditë si shenjë respekti për vuajtjet e familjes së Liridonës. Gjithashtu, dua të përsëris se çdo individ është përgjegjës për veprimet e veta, dhe drejtësia duhet t’u tregojë secilit vendin e merituar”, shkroi ai.

Ndryshe, Policia ka arrestuar dje tre persona të dyshuar për vrasjen e Liridonës, përfshirë edhe bashkëshortin e saj, Naim Murselin.

Naim Murseli u arrestua dje nën dyshimet se ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës. I njëjti dyshohet se ka inskenuar gjithë ngjarjen që të ngjajë si grabitje e armatosur me pasojë vdekjen, teksa vetë gjoja kishte arritur që të ikte bashkë me dy fëmijët, 6 dhe 4-vjeçar.

E, personi që dyshohet se shkrepi armën duke e lënë të vdekur në vend Liridonën, është Granit Plava. Plava ka pohuar se Naim Murseli e ka paguar 30 mijë euro që ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij.

Gjatë ditës së djeshme Sinjali raportoi ekskluzivisht edhe për personin e tretë të arrestuar, i cili është Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe familjar i Naimit.

Seanca fillestare ndaj të dyshuarve do të mbahet nesër në orën 09:30, teksa Prokuroria ka përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.