Ambasadorja e Kosovës në Romë, Lendita Haxhitasim, së bashku me kryetarin e Komunës së Tolentino në rajonin Marche, Mauro Sclavi Sindaco, si dhe presidentin e Shoqatës së Diasporës “Foleja e Shqiponjave”, Gëzim Gashi, përuruan dje Monumentin e Shenjtës Nënë Tereza në Tolentino.
Statuja prej bronzi, vepër e punuar nga skulptori nga Kosova Naim Spahiu, është dhuratë e familjes Gashi për qytetin e Tolentinos, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për komunitetin e Tolentinos, raporton KP.
Ndryshe, komuniteti i Tolentinos gjatë luftës në Kosovë në 1999 ka ndihmuar bashkatdhetarët kosovarë me ndihma, të cilat Gëzim Gashi personalisht i dërgonte në Kosovë, njofton Ambasada e Kosovës në Romë.