Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Nuk ishte thjesht një punonjëse”, gjesti i veçantë i kafenesë ku punonte Liridona

 
   

Liridona Ademaj e cila u vra me porosi të bashkëshortit të saj në Kosovë, u rivarros rivarroset të hënën në Rracaj të Gjakovës.

Ajo jetonte në Suedi bashkë me Naim Murselin dhe dy djemtë. Atje punonte në një kafene të quajtur Lejas.

Biznesi ofroi kafe falas për të gjithë ata njerëz që vinin të përkujtonin Liridonën duke e lënë ditën pushim dhe duke respektuar dhimbjen për ndarjen nga jeta të punonjëses.

Njoftimi i plotë:

Me trishtim të madh dhe dhimbje në zemër duhet të njoftojmë sot se një person i mrekullueshëm është larguar shumë herët nga kjo botë.

Një grua që vlerësonte gjithmonë klientët e saj dhe dëshironte të sigurohej që ata të kishin gjithmonë përvojën më të mirë me ne. Ajo gjithmonë jepte 100% në vendin e punës dhe ishte një njeri i hareshëm me një buzëqeshje ngjitëse si për kolegët ashtu edhe për klientët. Puna e vështirë nuk e trembte aspak. Ajo e donte familjen dhe 2 djemtë e saj të mrekullueshëm më shumë se çdo gjë në botë.

Liridona nuk ishte thjesht një punonjëse e jona në Lejas Café. Ajo ishte shumë më tepër se kaq. Ajo ishte një mike shumë e dashur dhe një punonjëse shumë e aftë. Ajo krijonte lehtësisht lidhje të mira përmes personalitetit të saj dhe këto janë vetëm disa nga cilësitë e mira që zotëronte.

Kemi marrë shumë pyetje në lidhje me ngjarjen dhe me gjithë respektin për të afërmit e saj, jemi përmbajtur të mos postojmë asgjë në rrjetet sociale.

Të dielën do të jemi të hapur dhe të gjithë janë të mirëpritur të vajtojnë dhe kujtojnë Lilly-n tonë!  Do të jemi të hapur nga ora 15.00. Nuk do të ketë shitje, por do të ketë kafe falas. Mirë se vini!

Përzemërsisht,

Lejas

Ndërkohë, një ditë më pas kafeneja postoi sërish duke falënderuar të gjithë ata që ishin bashkuar në përkujtimore dhe duke bërë me dije se kishin organizuar një formë për të kontribuar në ndihmë të familjes, para që do i merrte vëllai i Liridonës.

Njoftimi i plotë:

Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë ata që ishin aty dhe patën mundësinë të merrnin pjesë dje në ceremoninë përkujtimore të Liridonës. Kishte shumë lot dhe shumë zemra të trishtuara, por është e rëndësishme të kujtojmë se çfarë hareje të pabesueshme kishte ajo dhe një buzëqeshje që ju ngjitej të gjithëve.

Do të keni mundësinë ta nderoni edhe sot në Lejas Café ku mund të plotësohet një libër me kujtime nëse dëshironi. Një libër që do t’i dorëzohet familjes së saj në të ardhmen e afërt. Nëse dëshironi, ekziston edhe mundësia për të kontribuar me një sasi parash sipas dëshirës tuaj në “1232393478” dhe shkruani “Lilly” si mesazh. Shuma totale do të shkojë për familjen e saj dhe do të merret nga vëllai i Liridonës.