Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vrasje në një shkollë ruse: 14-vjeçarja vret një nxënës, plagosë pesë të tjerë dhe në fund vetëvritet

Të enjten, një vajzë 14-vjeçare vrau një nxënës dhe plagosi pesë fëmijë të tjerë përpara se të vriste veten në një shkollë në qytetin rus të Bryanskut, raportojnë mediat ruse.

“Sipas të dhënave paraprake të hetimit, një vajzë 14-vjeçare ka sjellë në shkollë një armë gjahu me të cilën ka qëlluar kolegët e saj”, thuhet në një deklaratë të Komitetit Hetues Rus.

Sipas njoftimit, hetuesit po punojnë për të përcaktuar motivin.

Guvernatori i rajonit, Alexander Bogomaz, e quajti incidentin një “tragjedi të tmerrshme”. Ai ka thënë se pesë të plagosurit, që po ashtu janë nxënës, janë me lëndime të lehta ose mesatare.

Agjencia “Mash” ka publikuar në Telegram, siç ka thënë, një foto të vajzës, e shtrirë në dysheme dhe e veshur me të zeza.

Fotoja tregon gjithashtu një thikë të gjatë të futur në këpucën e saj të djathtë.

“Bashkë me organet e akuzës po përcaktojmë rrethanat në të cilat nxënësja ka mundur të marrë dhe të sjellë armë në shkollë”, ka thënë Bogomaz.

Ka pasur disa të shtëna në shkolla në Rusi vitet e fundit.

Në vitin 2018, një student 18-vjeçar vrau 20 persona, shumica e të cilëve studentë, në të shtënat masive në një kolegj në Krimenë e kontrolluar nga Rusia.

Në shtator të vitit të kaluar, një person i armatosur vrau 15 persona, duke përfshirë 11 fëmijë, dhe plagosi 24 në një shkollë në Izhevsk ku dikur kishte qenë nxënës, përpara se të bënte vetëvrasje.