Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do t’i ftojë për takim partitë opozitare për të diskutuar rreth draft-statutit të Asociacionit.
Këtë e tha ajo vet para mediave të mërkurën.
Mirëpo një iniciativë të tillë të Presidentes, nuk po e pranon Lidhja Demokratike e Kosovës.
Nënkryetari Lutfi Haziri ka thënë se ftesa e Presidentes për të diskutuar për këtë çështje është e vonshme.
Haziri ka deklaruar se LDK-ja tani është duke u marr me agjendën e partisë.
“Këtë javë LDK është e angazhuar në agjendën politike të sa lidhur me implementimin e vendimeve të KP dhe Kryetarit të LDK. Do të diskutohet në LDK në kohën kur kemi ftesë zyrtare. Për mendim tim është ftesë shumë e vonshme”, deklaroi ai.
Haziri-Osmanit: Pse nuk po e fton edhe VV-në me ia marrë qëndrimin për draftin
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka drejtuar një pyetje për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai ka pyetur pse Osmani nuk po e fton edhe VV- në për t’ia marrë qëndrimin për draft-statutin e Asociacionit.
“Po ashtu pse nuk e fton edhe VV-në Presidentja për t’ia marrë qëndrimin”, tha ai.
Sipas tij, LDK-ja nuk mund ta bëjë punën që duhet ta bëjë Qeveria dhe Presidentja.
“LDK nuk mundet me kry punën e Qeverisë e as të Presidentes që e kemi votu edhe ne”, u shpreh ai.
Presidentja Vjosa Osmani tha se me partitë do të diskutoj në lidhje me komentet dhe vlerësimet sa i përket këtij drafti dhe se të gjitha ato komente të inkorporohen në përmirësimin e këtij drafti.
“Tani për fund vit do t’i ftoj partitë opozitare për konsultime për këtë temë dhe shumë tema të tjera, që kanë të bëjnë me interesin nacional. Do t’i njoftoj edhe ata për çështjet që i kam identifikuar edhe unë dhe kabineti im. Jam e bindur që përderisa e kemi qëllimi që të mos lejojmë ndonjë trup, i cili i shkakton probleme Kosovës atëherë do të kemi mundësi që të arrijmë atë nëpërmjet mekanizmave që ekzistojnë në Kosovë”, tha ajo para mediave.