Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kushtetuesja pezullon marrëveshjen për emigrantët me Italinë, vendimi përfundimtar do të jepet me 18 Janar

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ratifikimin nga ana e parlamentit të marrëveshjes për emigrantët me Italinë, e parashikuar për t’u votuar nga Kuvendi në seancën plenare të së enjtes. Vendimi u mor nga trupa gjykuese e Kushtetueses, e cila vlerësoi se kërkesa e bërë nga deputetët që mbështetin Sali Berishën dhe Gazment Bardhin plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë.

Por kjo nuk është fjala e fundit që Kushtetuesja ka thënë për këtë marrëveshje, pasi vendimi përfundimtar lidhur me fatin e protokollit të nënshkruar në 6 nëntor nga dy kryeministrat Rama e Meloni do të jepet në datën 18 janar.

“Bazuar në nenin 52, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”.

Në 6 dhjetor 30 deputetë të opozitës kërkuan nga kjo gjykatë deklarimin të papajtueshëm me Kushtetutën të këtij protokolli, ndalimin si dhe pezullimin e procedurave për ratifikimin e tij nga Kuvendi.

Ata argumentonin në padi se kjo marrëveshje është negociuar dhe nënshkruar në mungesë të autorizimit nga Presidenti i Republikës, që bie ndesh me Kushtetutën, Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

Mungesa e konsultimeve dhe bashkëpunimi me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB për refugjatët, ishte një tjetër argument që sipas opozitës është në kundërshtim me nenin 35 të Konventës së Gjenevës.

Në argumentet e tyre deputetët firmëtarë sqaronin se protokolli shkel dhe cenon të drejtat që Kushtetuta e Shqipërisë iu njeh të huajve, kufizon në mënyrë të padrejtë lirinë, si dhe cenon parimin e barazisë.

Në krahun tjetër Kryeministri Edi Rama është shprehur se për marrëveshjen kanë punuar ekspertët më të mirë të të dyja qeverive dhe se ajo i ka kaluar të gjithë filtrat dhe është në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë.