Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj u ka bërë thirrje qytetarëve të Luginës së Preshevës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi.
Begaj në një postim në “Facebook” thotë se përmes pjesëmarrjes në zgjedhje dhe votimit të kandidatëve të Luginës mund të arrihet përfaqësimi politik.
“Shqiptarë të Luginës së Preshevës, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc!Zgjedhjet e ditës së nesërme janë një moment shumë i rëndësishëm për përfaqësimin tuaj politik dhe mbrojtjen e të drejtave tuaja. Vetëm përmes pjesëmarrjes masive dhe zgjedhjes së kandidatëve tuaj mund ta arrini këtë. Duke shpresuar në një proces sa më demokratik, ju inkurajoj të merrni pjesë në votime e të zgjidhni kandidatët tuaj të preferuar që do t’ju përfaqësojnë në Parlamentin e ardhshëm”, shkruan presidenti.