Detaje te reja janë zbardhur nga hetimet për vrasjen e Arben Lleshit brenda burgut të Peqinit.
Nga hetimet e deritanishme është zbuluar se Sokol Mjacajt i është sekuestruar një aparat celular rreth 3 muaj më parë nga kontrollet e ushtruara në burgun e Peqinit. Ky celular do t’i nënshtrohet ekspertizës për të gjurmuar telefonatat e tij me persona jashtë burgut.
Gjithashtu, Mjacaj në dëshminë e tij para hetuesve ka deklaruar se po të mos e kishte marrë vesh se do të futej në regjimin 41 bis, nuk do ta kryente vrasjen, atë ditë. Për regjimin 41 bis, ai ka deklaruar se i kanë thënë të burgosurit e tjerë duke iu drejtuar “qenke i rrezikshëm ti Sokol, se do të fusin në izolim”.
Sokol Mjacaj është pyetur për disa emra konkret, për sa i përket vrasjes së Arben Lleshit nëse ishte paguar apo jo, por ai ka vijuar të heshtë dhe të thotë se e vrau për sherrin brenda burgut.
Pasi ka vrarë Arben Lleshin, disa të burgosur te tjerë, miq të viktimës dhe të plagosurit, kanë ndjekur Sokol Mjacajn duke tentuar ta ndalojnë. Por ai nuk ka pasur më fishekë dhe për të krijuar përshtypjen se kishte fishekë në armën e tij, është mbyllur tek dhoma e takimeve.
“Ju thashë, po erdhët këtu unë do t’ju vras, por realisht unë nuk kisha më fishekë në pistoletë”.
Pas kësaj ai është futur në dhomën e takimeve ku brenda kishte edhe familjarë te tjerë që ishin në takim me të burgosur të ndryshëm.