“Nëse kanë kaluar më pak se tre sekonda, mund të hani me siguri ushqimin që ka rënë në dysheme”. Sa herë i keni dëgjuar këto fraza?
Sipas shumë njerëzve, mjafton të marrësh ushqimin nga dyshemeja ose të frysh në sipërfaqe në kohë për të shmangur ndotjen bakteriale.
Kjo teori e njohur njihet si “rregulli 5 sekonda”, ndërsa një variant tjetër e vendos kohën maksimale në tre sekonda.
Por a është e vërtetë që ushqimi është i sigurt nëse nuk qëndron në tokë për më shumë se pesë sekonda? A ka ndonjë shpjegim shkencor? Në realitet, bëhet fjalë për një legjendë urbane, e cila është hedhur poshtë nga disa studime.
Një nga më të famshmit është ai i kryer nga studiuesja amerikane Jillian Clarke nga Universiteti i Illinois, e cila tregoi se ushqimi i mbetur në sipërfaqe mund të kontaminohet menjëherë (edhe në pak sekonda) nga Escherichia coli, një nga bakteret më të zakonshme.
Bruno Brunetti, një profesor i mikrobiologjisë industriale farmaceutike, i cili ka një faqe të ndjekur gjerësisht në Instagram, bëri një eksperiment që e vërteton këtë.
Për t’u treguar të gjithëve se çfarë ndodh në të vërtetë me ushqimin që bie në dysheme, edhe kur ai merret në tre sekonda, ai analizoi një copë bukë që përfundoi në dysheme në laborator dhe e krahasoi atë me një të pastër.
Ndërsa në rastin e dytë nuk ka pothuajse asnjë gjurmë të baktereve, një copë bukë që ka qëndruar në dysheme për vetëm disa sekonda është dukshëm e kontaminuar.
Hulumtimet e publikuara më parë treguan se ushqimi i rënë në dysheme do të mbledhë bakteret në vetëm një sekondë, jo vetëm në pesë. Por Aaron E Carroll, profesor i pediatrisë në Universitetin e Indianës, e kundërshton këtë dhe thotë se ha ushqim që ishte në dysheme.
Ai i tha Neë York Times se njerëzit duhet të jenë më të shqetësuar se sa baktere ka në sipërfaqet e tjera të shtëpisë në krahasim me dyshemenë.
Doreza e frigoriferit, lavamanit dhe banakut të kuzhinës janë dukshëm shumë më të këqija. Dr. Carroll është dakord që ushqimi mund të kontaminohet me baktere sapo të bie në kontakt me të, por se prekja e sendeve të tjera shtëpiake përpara përdorimit të ushqimit mund të ketë të njëjtin efekt.
Në përgjithësi, herën tjetër që ju të rrëzoni aksidentalisht ushqimin në dysheme, mund të jetë më mirë ta hidhni pa u menduar shumë. /vizionplus.tv