“Dialogu është aktualisht një lloj vdekje klinike, pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit në Serbi”, deklaroi kështu, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti,
Në kuadër të diskutimit për dialogun, Ahmeti vlerësoi që historia tashmë tregon që Serbia pajtohet në tavolinë, mirëpo nuk zbaton në teren.
“Vuçiq e ka bllokuar plotësisht procesin e dialogut. Dialogu aktualisht është një lloj vdekje klinike, me thirrjen e zgjedhjeve që e bëri Vuçiq me 17 dhjetor. Zgjedhje të cilat kishin probleme të jashtëzakonshme. Në këtë formë, synimi i tyre është që ta shtyjnë sa më shumë procesin e zbatimit të marrëveshjeve të cilat tashmë i kemi arritur, duke e shfrytëzuar në një situatë më të favorshme gjeopolitike. Historia tregon që Serbia pajtohet në tavolinë, por nuk zbatojnë në teren”, tha Ahmeti.
I pyetur se a do të ishte vendim i duhur që Qeveria Kurti ta hartonte vetë draftin e Asociacionit, Ahmeti potencoi që nuk mund të merren hapa të njëanshëm, përderisa Kosova dhe Serbia e kanë marrëveshjen në një dokument të përbashkët.
Ndërkaq, sa i përket masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës, ky i fundit tha se këto masa nuk kontribuojnë aspak në stabilitetin e rajonit.
“Masat janë absolutisht të padrejta të cilat nuk kontribuojnë aspak në stabilitetin në rajon. Kosova u tregua konstruktive në dialog, përderisa Serbia kishte plotësisht një qasje bllokuese”, shtoi tutje Ahmeti