Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kushtim Ahmeti, tha se masat të cilat i janë vendosur Kosovës nga Bashkimi Evropian do të duhej të hiqeshin sa më parë dhe t’i vendoseshin Serbisë.
Ahmeti tha se vendosja e masave ndaj Serbisë nga Bashkimi Evropian do të ishin të fuqishme vetëm atëherë kur ato i largohen Kosovës.
Ahmeti tha se MPJD po bënë punë të përditshme për largimin e masave të vendosura nga BE.
“Është puna e përditshme që e bëjmë edhe për këtë heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës. Nëpërmjet takimeve që i kemi qoftë në Prishtinë, qoftë përgjatë vizitave tona, por në fund vendimi është nga Bashkimi Evropian dhe ato masa do të duhej të hiqeshin sa më parë dhe t’i vendoseshin masa Serbisë. Pra, nuk mund të kemi këtu barazim të dyja vendeve. Vendosja e masave ndaj Serbisë ka kuptim të plotë vetëm atëherë kur masat aktuale i hiqen Republikës së Kosovës”, tha Ahmeti.
Megjithatë, zëvendësministri Ahmeti tha se pavarësisht masave, takime dhe marrëveshje në nivele më të ulëta janë zhvilluar vazhdimisht.
Derisa sa i përket ngecjeve si pasojë e këtyre sanksioneve, Ahmeti tha se ka të bëjë me disa projekte.
“Është çështje e disa projekteve por në anën tjetër ne kemi pa që në rrafshin bilateral kemi vazhdim të komunikimeve, kemi pas vizita nga krerët tanë shtetëror në vendet tjera, kemi pasur edhe në nivele më të ulëta organizime të konsultimeve politike, nënshkrime të marrëveshjeve të ndryshme. Kemi pasur edhe nga vendet anëtare të BE-së vizita në Kosovë, gjë që është shenjë e mirë sepse marrëdhëniet bilaterale po vazhdojnë, përderisa ne gjithashtu po lobojmë edhe për rrugë për të arritur anëtarësimin tonë në BE e që nënkupton gjithashtu lobimin edhe në Këshillin e Evropës si një lloj kriteri paraprak për anëtarësim në BE duke pasur parasysh që nuk mund të bëhesh vend anëtar në BE pa qenë palë në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha mes tjerash Ahmeti.