Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri theksoi se janë shqyrtuar 14 kërkesat e policisë në takimin me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Zeqiri tha se takimi ka qenë shpresëdhënës dhe është vendosur që kërkesat e Policisë së Kosovës do të analizohen se cila do të plotësohet shpejt dhe cilat më vonë.
Ai tha se shpreson që situata të vazhdojë me dialog deri në plotësimin e kërkesave.
Zeqiri: Është vendosur që do të analizohen kërkesat e policisë së Kosovës
“Të bëhem i sinqertë që biseda ka qenë konstruktive edhe nga ministri i punëve të brendshme Sveçla edhe nga drejtori i policisë pasi që ishte prezent aty dhe gjatë tërë bisedës janë biseduar të gjitha kërkesat parashtruara që janë rreth 14 kërkesa për të cilat kemi fol në aspektin e përgjithshëm për secilën dhe gjatë bisedës e sipër në realitet sot nuk është marrë ndonjë vendim, por është vendim që këto kërkesa të analizohen në detaje dhe në takimin e ardhshëm të vendosen se për cilat prioritet. Është shumë normale që të gjitha këto kërkesa menjëherë dhe ne po deklarohemi se nuk mund të realizohen por ne kërkuam dhe u koordinuam bashkë me ministrin, prioritet për të cilat janë të mundshme që të realizohen për policinë e Kosovës. Ka qenë një bisedë shpresëdhënës se të gjitha këto kërkesa dhe pakënaqësi të realizohen me dialog dhe unë po shpresoj se kështu do të rrjedh situata edhe në vazhdimësi dhe në takimin e ardhshëm do të vendosim prioritet se cilat kërkesa mund te realizohen tani e cilat më vonë”, tha Zeqiri.
Po ashtu, Zeqiri shtoi se është koha që të përmirësohet mirëqenia e policisë së Kosovës. Ai tha se takimi i radhës do të realizohet në janar të vitit të ardhshëm.
Zeqiri: Takimi i radhës do të zhvillohet në janar 2024, duhet të përmirësohet mirëqenia e policisë
“Në realitet sigurisht këto informacione do të marrin të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës edhe atë me kureshtje e kanë pritur edhe takimin edhe se çka do të del nga ky takim, kemi biseduar edhe me disa koleg të cilët menjëherë mbas takimit dhe ata u pajtuan që të vendosin prioritet për dhe të fillojnë të bëhet realizimi i kërkesave të policisë së Kosovës, prandaj mbetet që të presim në takimin e ardhshëm se cilat do të vendosen prioritet , cilat janë të mundshme në këtë rast për ministrin që të realizohen dhe të fillojmë t’i zbusim këto pakënaqësi dhe të përmirësohet mirëqenia te policia e Kosovës, kudo në një shkallë pak më të kënaqshme për secilin. Takimin e radhës nuk e kemi caktuar datën besoj së shpejti por pasi që jemi në fundvit besoj që takimi radhës do të behët ne janar”, shtoi Zeqiri.
Ndërkaq, Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese (NjSI) dhe policë nga sektorë të tjerë dhe sindikata e tyre, para dy javësh kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës për të kërkuar plotësimin e kërkesave për shtesat e rrezikshmërisë, pagat, veshmbathjet dhe përkujdesje për mirëqenien e familjarëve të policisë.