Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lifestyle

Njësoj si ushtari japonez, edhe i riu armen kujtonte se lufta ende nuk kishte përfunduar! Qendroi i fshehur 33 ditë në pyll

Historia përsëritet, por në forma dhe mënyra të ndryshme. Të gjithëve na kujtohet historia e ushtarit japonez, i cili vijonte të kryente detyrën e tij me ndershmëri në një ishull.

Edhe pse lufta kishte 28 vite që kishte përfunduar Shoiçi Jokoi vijonte të qendronte në ishullin e Guamit.

E njëjta histori ka ndodhur dhe me një ushtar armen, i cili ka qendruar për 33 ditë në pyjet e Nagorno-Karabakut, pasi kujtonte se lufta mes Armenisë dhe Azerbajxhanit vijonte.

Rafael Hakobian nuk ishte në dijeni se udhëheqja armene e rajonit të shkëputur kishte kapitulluar brenda 24 orëve nga nisja e një sulmi masiv azerbajxhanas.

Ai u dorëzua pas 33 ditësh, ku edhe kuptoi se lufta ishte përfunduar ende pa nisur mirë.

Si është historia e Shoiçi Jokoi

Shoiçi Jokoi ishte 26-vjeç, kur u rekrutua në radhët e ushtrisë japoneze në 1941. Në atë kohë, ushtarëve u mësohej se dorëzimi tek armiku, ishte fati më i keq i mundshëm për një ushtar. Prandaj kur forcat amerikane pushtuan në vitin 1944 ishullin e Guamit që kontrollohej deri në atë kohë nga trupat japoneze, Jokoi u fsheh në xhungël.

Ai gërmoi një shpellë nën tokë pranë një ujëvare, e mbuloi atë me dru bambuje dhe kallamishte, dhe qëndroi aty për 28 vite, deri kur u zbulua më 24 janar 1972 nga 2 gjahtarë pranë një lumi. Jokoi i sulmoi gjahtarët, por ata e neutralizuan shpejt ushtarin që ishte kockë e lëkurë, dhe e shoqëruan atë tek autoritetet, ku ai rrëfeu historinë e tij të çuditshme.

Në shumicën e kohës Jokoi, besonte me vendosmëri se ish-shokët e tij do të ktheheshin një ditë për ta shpëtuar. Edhe kur u zbulua pas gati 3 dekadash, ish-ushtari tashmë 57-vjeçar besonte se lufta vazhdonte ende, dhe se jeta e tij ishte në rrezik. ?Ai ishte vërtet i frikësuar?- u shpreh më vonë nipi i tij Omi Hatashin.

Gjatë mungesës së thuajse 3-dekadëshe, Japonia kishte ndryshuar shumë. Disa e cilësuan frymëzues stoicizmin dhe besnikërinë e tij, të tjerët një gjë absurde. Ai u martua po atë vit, vetëm pak muaj nga rikthimi i tij në atdhe dhe vdiq në vitin 1997, në moshën 82-vjeçare.

Ai dëshironte të takonte perandorin Hirohito, dhe në fund pati mundësi të takonte pasardhësin e tij perandorin Akihito në vitin 1991. ?Jukoi druhej se do ta cilësonin një rob lufte, dhe kjo gjë do të ishte turpi më i madh për një ushtar japonez, dhe për familjen e tij?- thekson Hatashin.

Kur po e largonin nga shpella e tij në xhungël, Jokoi iu përgjërua që ta vrisnin. Duke përdorur kujtimet e vetjake të Jokoit, botuar në japonisht 2 vjet pas zbulimit të tij, si dhe dëshminë e atyre që e gjetën atë ditë, Hatashin shpenzoi vite duke shkruar historinë dramatike të xhaxhait të tij. Libri i tij, ?Lufta dhe jeta private e Jokoit në Guam, 1944-1972?, u botua në anglisht në vitin 2009.

Unë jam shumë krenar për të?- thotë nipi. Vetëizolimi i tij i gjatë nisi në korrikun e vitit 1944, kur forcat amerikane sulmuan Guamin, si pjesë e ofensivës së tyre kundër japonezëve në Paqësor. Luftimet ishin të ashpra, dhe viktimat e shumta nga të dyja palët.

Por kur komanda japoneze u shpërbë, ushtarëve si Jokoi u mbeti të kujdeseshin vetë për fatin e tyre. Ata u kujdesën shumë që të mos zbuloheshin. Vitet e para, u reduktuan shpejt në numër, dhe ushqeheshin duke kapur dhe vrarë bagëtitë që mbarështonin banorët e zonës.

Nënkoloneli Hiro Onoda, drejtoi një forcë guerile në ishullin Lubangut në Filipine, edhe për shumë vite pas përfundimit të luftës. Ai u dorëzua shumë vite më vonë dhe u riatdhesua vetëm në marsin e vitit 1974. Teruo Nakamura, një ushtar nga Tajvani, u gjet në ishullin indonezian Morotai në dhjetorin e vitit 1974.

Nga frika e zbulimit nga trupat amerikane, dhe më vonë nga gjahtarët vendas, japonezët u tërhoqën gradualisht më thellë në xhungël. Atje konsumonin bretkosa, ngjala dhe minj. Jokoi ndërtoi me kallamishte një mjet për kapjen e ngjalave të lumit.

Ai ishte një tip shumë i shkathët?-thotë Hatashin. Duke e mbajtur veten me punë, ai kishte mundësi të mos mendonte shumë për gjendjen e tij të vështirë apo familjen në shtëpi. Në kujtimet e tij Jokoi, flet për bindjen e tij për të mos hequr dorë nga shpresa, sidomos në 8 vitet e fundit kur jetoi krejtësisht i vetëm, dhe kur 2 shokët e tij të fundit që mbijetuan, vdiqën gjatë një përmbytje në vitin 1964.

Duke kujtuar në një rast nënën e tij të moshuar që kishte lënë në shtëpi, ai shkruan:?Ishte e kotë t?i shkaktoja dhimbje zemrës time, duke u ndalur në gjëra të tilla?. Dhe për një rast tjetër, kur ishte shumë i sëmurë shkroi:?Jo! Unë nuk mund të vdes këtu. Nuk mund ta ekspozoj kufomën time ndaj armikut. Duhet të kthehem të vdes në shpellën time për të vdekur. Deri tani ia kam dalë të mbijetoj, por gjithçka po shkon drejt fundit?.

Dy javë pas zbulimit në xhungël, Jokoi u kthye në shtëpi në Japoni, ku u mirëprit në aeroport si një hero nga mijëra njerëz. Ai u intervistua në radio dhe televizion, dhe u ftua rregullisht të flasë në universitete dhe shkolla në mbarë vendin. Hatashin, tha se xhaxhai i tij ishte gjithnjë e më shumë nostalgjik për të kaluarën e tij, dhe para vdekjes së tij në vitin 1997, u rikthye disa herë në Guam bashkë me gruan e tij.