Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Eksperti gjerman tregon çka do të ndodhë me dialogun Kosovë-Serbi: Vuçiq po luan

 
   

Eksperti për Ballkanin dhe bashkëpunëtori i Lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, Bodo Weber, është shprehur skeptik për të ardhmen e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Weber ka theksuar dyshimet e tij sa i përket progresit në dialog, pasi sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po luan dhe nuk është i interesuar të respektojë marrëveshjet.

“Dyshoj se do të ketë progres në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak se Aleksandar Vuçiqit, ka një kohë të gjatë që po luan dhe nuk është i interesuar t’i respektojë marrëveshjet. Për çdo gjë, presidenti i Serbisë fajëson Kosovën se nuk është e interesuar për dialog, prandaj jam shumë skeptik për të ardhmen e këtij procesi. Ai madje i rezistoi edhe presioneve të Perëndimit duke mos i vënë sanksione Rusisë”, ka thënë ai.

Eksperti Weber po ashtu ka komentuar edhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Serbi më 17 dhjetor, duke thënë se ato e dëshmuan qartë se atje bëhet fjalë për një regjim autokratik.

Ai ka thënë shkelje të mëdha u evidentuan ne kryeqytetin serb në Beograd, ku ishte një garë e ngushtë mes partive opozitare dhe partisë në pushtet.

“Këto zgjedhje dëshmuan edhe njëherë mënyrën se si ka udhëhequr Aleksandar Vuçiq dhe partia e tij përgjatë dekadës së fundit. Serbia është demokraci vetëm në letër dhe po bëhet gjithnjë e më autoritare. Mënyra se si po vepron ky regjim autokratik pas vrasjeve në masë dhe pas protestave të shumta, tregon se ky regjim është në prag të kolapsit. Pati shumë shkelje gjatë këtij procesi zgjedhor në Serbi dhe përveç kësaj partia në pushtet gjatë fushatës elektorale ishte shumë agresive. Shkelje të mëdha u evidentuan edhe në Beograd, ku ishte një garë më e ngushtë mes partive opozitare dhe partisë në pushtet. Kurse, në anën tjetër ende nuk kemi parë një reagim të fortë brenda shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për t’i dalë në mbështetje partive opozitare”, ka thënë Weber.

Ai ka thënë se shumë qytetarë serbë nga Bosnja dhe Kosova shkuan në Serbi për të votuar në mënyrë të paligjshme. Sipas tij, Partia Përparimtare Serbe, po qëndron e heshtur përballë gjithë atyre që e shkelën ligjin.

“Tani po shohim protesta të partive opozitare edhe shumë të rinjve në Beograd, janë më mijëra prej tyre që kanë dalë në rrugë për të protestuar. Nga ana tjetër kemi partinë në pushtet që po qëndron e heshtur përballë atyre që kanë bërë shkelje në procesin zgjedhor. Pati shumë qytetarë serbë që erdhën nga Bosnja dhe nga Kosova për të votuar në mënyrë të paligjshme, pra shihet qartë se ka pasur shumë manipulime në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Të gjitha këto shkelje janë të evidentuara në detaje. Tani do të shohim se çfarë qasje do të ketë Perëndimi në raport me Serbinë pas këtyre zgjedhjeve, dhe gjithashtu më intereson të shoh nëse Perëndimi do t’i mbështes partitë opozitare dhe shoqërinë civile në Serbi”, ka thënë Weber për tëvë1.