Partitë politike opozitare po bëjnë thirrje tek qytetarët për vëmendje ndaj partive të tyre. Deklarimet e tyre ngjajnë me ato të fushatës zgjedhore, kur bëhet thirrje për vota.
Kështu Memli Krasniqi, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, së fundi është deklaruar se partia e tij po rritet dhe po rikthehet fuqishëm.
“PDK po rritet. PDK fuqizohet. PDK po rikthehet! Mbi 120 anëtarë të ri, në krye me afaristin Selver Xhelili, kanë aderuar mbrëmë në Degën tonë në Gjilan. I falënderoj të gjithë për besimin dhe angazhimin që kanë vendosur të japin në PDK, e përmes nesh, për shtetin dhe shoqërinë. Kjo është dëshmi se PDK mbetet alternativa më e mirë politike dhe qeverisëse për vendin, e cila, kudo që është duke qeverisur në nivelin lokal, po kryen punë dhe po e mban fjalën, për dallim nga dështimi i madh i Qeverisë në nivelin nacional – në të gjithë sektorët. Sikur në Gjilan, Partia Demokratike e Kosovës po mobilizohet në secilën komunë të Kosovës, me njerëz të ri, energji të reja e dashuri të madhe për vendin. Vizioni ynë për të ardhmen është i qartë: bashkë me qytetarët dhe për ta, të rikthejmë Kosovën në kursin e duhur të zhvillimin dhe integrimit”, shkruan Krasniqi në facebook.
Nga ana tjetër edhe Lumir Abdixhiku, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se fitorja e LDK-së i duhet Kosovës sa më parë.
“LDK ka njerëz të ndershëm, patriotë, të dijshëm, të urtë por kokëfortë e insistues për fatin e popullit dhe të vendit tonë. Njerëz që gjejnë gjuhën e bashkë-komunikimit e unitetit shoqëror në Kosovë, e që marrin vendime të matura, të guximshme, historike sikurse të tri dekadave të shkuara”, ka thënë Abdixhiku.
Mirëpo, lidhur më këto deklarime ka folur për ‘Bota sot’, ish bashkëluftëtari i heroi të kombit, Sali Çekaj, Saim Tahiraj, njëherit edhe njohës i rrethanave të fundit politike.
Saim Tahiraj
Ai thotë se deklarimet e kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi se PDK po rikthehet, të kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku se fitorja e LDK-së i duhet Kosovës sa më parë, janë vetëm fontanë deshirash.
“Këtë mendim e them duke u bazuar në faktin se opozitarizmi i tyre është në nivelin më të ulët veprimit. Siҫ duket sheshazi këto parti politike opozitare nuk janë të interesuar fare të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, sepse nuk janë të përgatitura dhe po presin, në gabimet e Kryeministrit Kurti të përfitojnë. Gjithashtu po presin në përfundimin e marrëveshjes me Serbinë dhe zbatimin e Asociacionit, i cili do jetë një çështje që kushdo ta realizoj do humbë përkrahjen e popullit”, thekson Tahiraj.
Ai thotë poashtu se, në anën tjetër kemi një qeveri të dobët dhe mossukseset e saj në të gjitha fushat, po përpiqet t’i mbuloj me veprime të ndihmës sociale.
“Gjithashtu dështimet e saj në politikën ndërkombëtare po mundohet t’i mbuloj me akuza ndaj bashkësisë ndërkombëtare, pastaj duke e frikësuar popullin e Kosovës me kërcënimet e Serbisë për luftë në Kosovë. Mendoj se të gjitha këto veprime demagogjike, ende i beson votuesi i Albin Kurtit, me ndonjë ndryshim të vogël. Deri sa votuesi “Analfabet Funksional”, vazhdon t’i besoj mashtrimeve të mashtruesit së dekadës së fundit, nuk do ketë zgjedhje të parakohshme. Partia opizitare LDK, nëse dëshirojnë ta marr pushtetin, duhet të ndërroj strategjinë e veprimit të saj opozitar dhe të zgjohet nga kjo agoni në të cilën është katandisur”, vlerëson ai.
Tutje Tahiraj thotë se ‘të kthehët në shtratin e saj të origjinës; si parti e qendrës së djathtë, anëtare e Partive Popullore Evropiane, të cilat bazohen në kulturën, traditen dhe identitetin Evropian, të respektoj Kushtetuten e Republikës së Kosovës si një Shtet Laik dhe jo të jetë strehë e një Islami Politik’.
“Kujtone mirë rrugëtimin e LDK-së më në krye Presidentin Rugova dhe urgjentisht të kthehi dhe të vazhdoni në atë rrugëtim. Vetëm ai rrugëtim e dërgon në fitoren e sigurt LDK-në”, vlerëson ai.