Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bislimi: Presim heqjen e masave ndëshkuese, Hungaria këmbënguli që të mbeten

Masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës, fillimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mëpastaj nga Bashkimi Europian “e kanë dëmtuar ekonominë dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Ai i ka quajtur masat si gabim që do të duhej korrigjuar.

Për mbetjen e masave në fuqi, Bislimi gishtin e drejtoi kah Hungaria, e cila sipas tij, “si emëruesi më i vogël i përbashkët” nuk e lejoi konsensusin e shumë vendeve të BE-së për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Bislimi tha se ka pasur vende që kanë qenë pro heqjes së masave ndëshkuese, por se “kompromisi u gjet përmes emëruesit më të vogël të përbashkët”.

“Hungaria nguli këmbë për diçka tjetër, dhe ky pozicion mbizotëroi”, ka thënë Bislimi për EuroNews Albania.

“Kemi mbështetës që përkrahin heqjen e masave, por na duhet dikush që të këmbëngul për këtë. Kjo do të ndihmonte. Ka një fjali në konkluzionet e Këshillit që i hap rrugën kësaj sepse thotë që Këshilli është gati të heqë masat me kërkesë të Përfaqësuesit të Lartë. Ne e dimë se ai ishte pro heqjes së masave, ndaj ajo që na duhet tani është që Borrell t’i dërgojë një letër ku të mbështesë heqjen e masave”, tha Bislimi derisa shtoi se është optimist për këtë.