Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti tha disa herë se “nuk përjashtohet një sulm tjetër”, por cilat janë thirrjet ndërkombëtare për Prishtinën dhe Beogradin?

 
   

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa herë gjatë këtij muaji dhe jo vetëm nuk e ka përjashtuar mundësinë e një sulmi të ri serb, pas ngjarjes së 24 shtatorit në Banjskë.

“Kemi një fqinj agresiv që nuk na pranon”.

“Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi, sepse nuk varet nga ne. Por, ne mbetemi vigjilentë dhe të mbështetur nga trupat tona dhe ato të aleatëve tanë të NATO-s, të cilët kanë shtuar mbështetjen e tyre që nga sulmet e shtatorit për të garantuar sigurinë e vendit tonë”, ka thënë Kurti më 17 dhjetor për gazetën gjermane “Stern”.

Për një sulm të mundshëm kundër Kosovës nga Serbia, Kurti foli edhe dje në një konferencë për media.

Ai tha se Radoiçiqi, i cili gjendet në Serbi, mban takime të rregullta me inteligjencën e Beogradit dhe i paguan nga 2 mijë euro në muaj pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist.

Shefi i ekzekutivit përmendi disa lokacione në Serbi, përfshirë poligone ushtarake, ku pretendoi se po stërviten pjesëtarët e grupit të Radoiçiqit.

“Radoiçiq po vazhdon përgatitjet për sulme të reja ndaj Kosovës, po mban takime sekrete në BIA. Pjesëtarë terroristë po paguhen nga dymijë euro, ata po strehohen në objektet e tij. Planet për sulme tentojnë destabilizimin e vendit tonë. Në vend se të dorëzon terroristët, Serbia po shfrytëzon ata për sulme të reja. Terrorizimi është sfidë për ne, por nuk do të triumfojë.”

Sipas Kurtit patrullimet e përbashkëta me KFOR përgjatë kufirit me Serbinë kishin penguar deri më tani vënien në zbatim të planeve.

Si për ta konfimruar këtë, misioni i KFOR-it në Kosovë, ka shpërndarë dje disa fotografi të ushtarëve amerikanë duke patrulluar në afërsi të Leposaviqit

“Ushtarë amerikanë të Komandës Rajonale të KFOR-it – Lindje kryejnë një patrullim sigurie në afërsi të Leposaviqit”.

“KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar siguri dhe një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet në njoftim.

Sikur kjo, edhe thirrjet e zyrtarëve të lartë botërorë për situatë të qetë në veri të Kosovës kanë qenë gjithmonë e më të zëshme që nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se ruajtja e një mjedisi paqësor dhe të sigurt në Kosovë është çelësi për stabilitetin e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor.

Në një fjalim për fundvit të publikuar në rrjetin social X, shefi i aleancës ushtarake tha se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten.

“Po jetojmë në një botë më të rrezikshme. Është një luftë e plotë në Evropë dhe një luftë e re në Lindjen e Mesme. Tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten. Vazhdon të ketë terrorizëm brutal dhe ndryshimi klimatik po i nxit konfliktet. Nuk mund të ketë siguri pa mbrojtje të forta. Dhe, nuk ka mbrojtje të forta pa ushtri të afta”, tha Stoltenberg.

Në fund të muajit të kaluar, Stoltenberg premtoi se aleanca ushtarake perëndimore do të bëjë gjithçka për ta ruajtur paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Së fundmi, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i paralajmëroi Kosovën dhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n.

“Është e rëndësishme që të dyja palët ta kuptojnë se, nëse ndodh ndonjë trazirë në veri, kjo nënkupton përballje me NATO-n”, tha O’Brien më 27 nëntor.

Ai tha se veriu i Kosovës duhet të jetë i qetë dhe i sigurt në mënyrë që Kosova dhe Serbia të shënojnë përparim politik në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Ngjarja e 24 shtatorit në Banjskë është cilësuar si më e rënda që nga koha kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe ka nxitur shqetësim ndërkombëtar për qëndrueshmërinë në vend.

Kosova ka fajësuar shtetin serb për sulmin, ndërsa Serbia serbët në Kosovë. Millan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe – e mori përgjegjësinë dhe vazhdon të jetë i lirë në Beograd.

Shtimi i trupave të KFOR-it në Kosovë ndodhi veçanërisht pas sulmit në Banjskë.

Gjithsej 4.687 trupa, nga 27 vende të botës, shërbejnë aktualisht në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR.

Gjatë tetorit, KFOR-it, që udhëhiqet nga komandanti turk, Ozkan Ulutash, iu bashkuan 134 trupa shtesë nga Rumania, dhe 200 pjesëtarë të tjerë nga Mbretëria e Bashkuar.

NATO-ja, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar numëronte 3.762 pjesëtarë në Kosovë, e ka arsyetuar shtimin e pranisë me tensionet e rritura në veriun e banuar me shumicë serbe.