Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Petritsch: Ekziston rreziku që bisedimet të mos vazhdojnë, Kosova dhe Serbia ta trajtojnë me seriozitet dialogun

 
   

Diplomati Wolfgang Petritsch teksa ka folur për dialogun, e ka përmendur edhe rrezikun dhe sulmet e mundshme të Serbisë ndaj Kosovës. Ai tha se ekziston një rrezik i madh që bisedimet e ghata të mos vazhdojnë, ose të mos kenë të njëjtën rëndësi.

Petritsch tha se për t’i motivuar negociatat, qeveritë e dy shteteve duhet të trajtojnë më me seriozitet procesin e dialogut.

“Ne jemi të lehtësuar që situata nuk është përshkallëzuar, ndonëse ka pasur potencial. Mirëpo, kjo na tregon se ekziston rrezik i madh që bisedimet e gjata dhe të vazhdueshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat lehtësohen nga Bashkimi Evropian, të mos vazhdojnë më, ose të mos e kenë rëndësinë që e kanë pasur në të kaluarën. Në këtë aspekt, viti 2023 ka qenë njëmend vendimtar. Unë besoj që nëse nuk shfrytëzohet viti 2024, për ta nxitur BE-në dhe Beogradin e Prishtinën, që të mendojnë seriozisht për një qasje të re, atëherë nuk jam i sigurt nëse në vitin 2025 – pasi të kenë përfunduar zgjedhjet e vitit të ardhshëm – të ketë përparim substancial.

Por, e gjithë kjo duhet të bazohet në përvojën e dhjetë, apo më shumë vjetëve të fundit, dhe të merren parasysh masat që janë marrë në incidentet e kaluara, duhet rishikim i metodologjisë së procesit të ndërmjetësimit. Besoj se nuk mund ta shohim dialogun të izoluar prej negociatave për anëtarësim, sidomos bisedimet e Serbisë për anëtarësim në BE.

Për t’i motivuar negociatat në të dyja palët, qeveritë e të dyjave duhet të trajtojnë më me seriozitet procesin, dhe të mos zhyten nëpër konflikte, që nuk janë as në interes të Serbisë dhe as të Kosovës. Ne duhet të mendojmë më gjerësisht. Besoj se problemi qëndron në faktin që situata globale ka ndryshuar në mënyrë dramatike, dhe papritmas ka më pak vëmendje në konfliktet e vogla dhe të vazhdueshme, sikurse ato mes Kosovës dhe Serbisë.” – deklaroi ai për REL.