Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kastrati thotë se Kurti është dashur ta mbledh Këshillin e Sigurisë e jo të krijojë panik te qytetarët

 
   

Ish komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, informacionet për sulm të mundshëm në veri të Kosovës do të duhej t’ia drejtonte Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe jo të dilte para medieve dhe të frikësonte popullatën.

Në emisionin “Info-Nata” në Tëvë1, Kastrati tha se si ish-ushtarak, nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë.

“Kryeministri nuk është dashtë haptas ta thotë një gjë të tillë sepse unë jetoj mes njerëzve, është krijuar një panik i panevojshëm, nëse kryeministri ka informata të tilla është dashtë ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, jo të del para medieve, jo të del të frikësojë popullatën por ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, komandantin e ushtrisë, drejtorin e Policisë, drejtorin e AKI-së, dhe drejtorët tjerë apo ministrat përkatës që i takojnë këtij këshilli i cili është Këshilli më i lartë i sigurisë në Kosovë dhe t’u japë informacione të qarta se çka serbët janë duke përgatitur dhe t’u japë rekomandime se ata duhet të jenë vigjilentë, duhet të jenë në gjendje gatishmërie, duhet të përgatiten, duhet të jenë në terren etj”, ka thënë Kastrati.

Ish komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, tha se kjo deklaratë ka qenë populiste.

“Kjo për mendimin tim ka qenë paksa deklaratë populiste, deklaratë që unë si ushtarak nuk e kisha thënë asnjëherë në opinion por i kisha marrë masat e duhura për të parandaluar nëse i kam informacionet e tilla dhe unë besoj që kryeministri i ka informacionet e mjaftueshme sepse AKI-ja e ka dhënë provimin jashtëzakonisht mirë me 24 shtator kur faktikisht i ka pasë informacionet duke bashkëpunuar edhe me inteligjencat tjera dhe e ka kryer punën jashtëzakonisht mirë dhe kryeministri unë besoj që i ka të gjitha këto informacione mirëpo do të duhej në mënyra pak më ndryshe të veprojë drejt kësaj situate”, është shprehur Kastrati.