Analisti Fatmir Sheholli, ishte i ftuar këtë të martë në Euronews Albania ku komentoi situatën politike në Kosovë dhe zhvillimet në rajon.
Sheholli u ndal dhe te hyrja e Vetëvetëndosjes në politikën e brendshme të Maqedonisë së Veriut, ku LVV do të jetë pjesë e koalicionit të opozitës, që njihet me emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN).
Sheholli tha se kjo lëvizje e Kurtit në RMV do të dështojë ashtu sikurse tentativa e tij për të garuar me subjektin e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 2021 në Shqipëri.
Sipas tij garimi i LVV në zgjedhjet në Maqedoni vetëm sa dëmton shqiptarët aty dhe përkrah partinë pro-ruse VMRO-DPMNE.
“Do të përfundojë ashtu siç ka përfunduar në Shqipëri. Jam shumë i bindur. Asnjë lider politik më përpara se ka bërë këtë, prandaj ky po mundohet që të bëhet “baba” i gjithë shqiptarëve. Por nuk i shkoi kjo. E provoi ta bënte në Shqipëri, ju e patë me çfarë votash ka kaluar. E njëjta gjë ka për të ndodhur dhe në Maqedoninë e Veriut, nuk ka kurrëfarë ndonjë mundësie që të ketë ndonjë rezultat. Ju bën vetëm keq shqiptarëve të Maqedonisë. Nuk besoj që sjell tensione me Maqedoninë e Veriut, por dhe mirë nuk i bën. Nuk e di çfarë kërkon Kurti me votat në Maqedoni. Por është duke përkrahur këtë opozitën, po ndhmon këtë partinë pro-ruse VMRO-DPMNE. E cila është totalisht pro-ruse dhe pro-serbe”, tha Sheholli.