Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Partitë politike të gatshme për zgjedhje, shlyejnë borxhin mijëra euro ndaj PZAP-së

 
   

Një sondazh i publikuar mbrëmë ku partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje kryeson e para me një dallim goxha të madh në raport me partitë tjera, ka nxitur shumë reagime nga partitë në opozitë.

Sipas sondazhit të  UBO Consulting, Vetëvendosje kryeson në vend të parë me 48.5 për qind, ndërsa partia e dytë që është listuar me 18.2 për qind është Partia Demokratike e Kosovës.

Pas PDK-së, sipas sondazhit, radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës, me 17.9 për qind.

Krerët dhe zyrtarët e partive opozitare e kanë quajtur të porositur këtë sondazh, derisa kanë akuzuar partinë në pushtet për manipulim e propagandë, raporton gazeta10.

Madje opozita i ka bërë thirrje Albin Kurtit që të dalë në zgjedhje dhe t’i mat forcat aty.

Edhe pse në sondazhe po dalin jo aq mirë, partitë janë kujdesur që të jenë korrekt në raport me Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Në zgjedhjet e fundit lokale PZAP kishte shqiptuar gjoba në vlerë të përgjithshme prej 216,350 euro për partitë politike.

Gjobat ishin shqiptuar për shkak të mosrespektimit të Kodit të Mirësjelljes, nga ana e subjekteve politike, mbështetësve dhe përkrahësve të tyre, gjatë fushatës së zgjedhjeve dhe thyerjen e heshtjes zgjedhore në ditën e heshtjes zgjedhore si dhe në ditën e zgjedhjeve.

Kësisoj, PDK-së ishte gjobitur me shumën prej 66,100 euro, e pasuar nga AAK-së me gjobë prej 52,750 euro, pastaj LVV-së i ishte shqiptuar gjoba në shumë prej 44,700 euro, LDK ishte gjobitur me 28,600 euro, NISMA ishte gjobitur me shumë prej 22,000 euro dhe Lista Srpskas i ishte shqiptuar gjoba në shumë prej 2,200 euro.

Mirëpo ky borxh i shqiptuar nga PZAP tashmë është shlyer plotësishtë.

Mul Desku, kryesues i Sekretariati të PZAP-së, në një përgjigje për gazeta10 ka thënë se të gjitha partitë politike i kanë shlyer borxhet e shqiptuar nga ky organ në zgjedhjet e fundit lokale.

“Asnjë parti politike nuk ka më borxh në PZAP. Të gjitha partitë i kanë shlyer borxhet që kanë pasur ndaj PZAP-së për shkeljet e bëra gjatë zgjedhjeve të fundit lokale”, ka thënë Desku për gazeta10.  

Porositja e sondazheve nga Lëvizja Vetëvendosje mund të jetë sinjal që Qeveria që udhëhiqet nga kjo parti po planifikon zgjedhje të parakohshme. Sidoqoftë edhe partitë në opozitë vazhdimisht janë shprehur pro shkuarjes në zgjedhje në çdo kohë.