Tema e kësaj të marte në emisionin “Rudina” në Tv Klan, është vërtetë interesante. Instituti Kombëtar i Informatikës në Japoni, ka paralajmëruar se hakerët mund të vjedhin me lehtësi shenjat e gishtave nga fotografitë që ne postojmë në rrjetet sociale. Mjafton vetëm ngritja e gishtit tregues ose ajo e dy gishtave (nënkupton paqe), që të kryhet ky sulm kibernetik.
Për të folur më tepër rreth kësaj teme ka qenë i ftuar gazetari i teknologjisë në “Geek Room”, Brenton Bënja, i cili shprehet se ky rrezik nuk është ende konkret.
Sipas tij, duhen kushte shumë perfekte që shenjat e gishtave të vidhen.
Brenton Bënja: Është padyshim një sfidë. Aty ku ka çështje të sigurisë së lartë, ka gjithmonë sfida. Në këtë rast është një rast i mirë sepse është një studim shkencor, i një instituti japonez shumë të mirënjohur, i cili flet për këtë rrezik, i cili ende nuk është konkret. Duhen disa kushte shumë perfekte për të arritur për të marrë shenjat e gishtave. Cilat janë këto kushte perfekte?
Kryesisht, së pari duhet të jesh i drejtuar shumë përballë kamerës. Pra duhet të jesh me dy gishtat siç ti the, për shembull duhet të jesh përballë kamerës. Së dyti ndriçimi duhet të jetë perfekt. Dhe së treti, duhet që kamera dhe aparati që përdor të jetë i një cilësie shumë të lartë. Dhe në fakt, nga njëra anë, këto janë kushtet perfekte që instituti ka thënë. Nga ana tjetër, kjo na bënë të mendojmë se kjo është pak e vështirë të arrihet kjo gjë, pasi shpeshherë ne përdorim ‘smartphone’-t, përdorim dhe aparate, por nuk janë aparate aq profesioniste.
Rudina Magjistari: Mirë, për momentin ndoshta, se kështu siç po avancon teknologjia duket që s’është çudi fare që ndoshta dhe në errësirë t’i shfaqësh mund të zbulohen, të kopjohen.
Brenton Bënja: Ka dhe diçka tjetër që prapë do të na e vështirësonte se ndryshe nga… po themi nëse ti ke ‘email’-in tënd të siguruar në dy mënyra: një përmes gishtit dhe të dytën përmes një ‘password’-i. Nëse një haker i caktuar ka ‘password’-in tënd, mund ta aksesojë ‘email’-in tënd nga kudo që ndodhet në botë. Aman nëse ka shenjën tënde të gishtit, duhet patjetër që kjo shenjë e gishtit të vendoset në një vend fizik. Pra në telefonin tim, unë duhet ta vendos patjetër, duhet të ketë një skaner që të ketë akses. Pra në këtë rast, edhe nëse dikush ka shenjën e gishtit, duhet patjetër që të jetë fizikisht aty, të të aksesojë dhe të vendosë këtë shenjë gishti.
Rudina Magjistari: Kjo bëhet fjalë vetëm në përdorimin e telefonit, por në ç’situata të tjera mund të abuzohet dhe mund të keqpërdorohet shenja jote e gishtërinjve, e kopjuar ose e vjedhur në këtë formë.
Brenton Bënja: Kudo. Në fakt telefoni është produkti që bëri lajm me të vërtetë sepse është ajo që ka më shumë vëmendje. Por ka shumë institucione apo vende të sigurisë së lartë që ti mund të aksesosh vetëm nëpërmjet shenjës së gishtit, apo shenjave të tjera biometrike. Edhe në këtë rast, shenja e gishtit është ajo e dhënë biometrike, më e sigurt nga të gjithë të tjerat.