Gjatë ditës së sotme kishte shumë qytetarë që u ankuan për fryrjen e faturave të rrymës, ku disa nga to edhe me vlera katër shifrore. Në anën tjetër, disa të tjerë thanë se nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh në krahasim me faturat e muajit të kaluar.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku pasi u pyet nga Lavdim Hamidi se sa i ka ardhur fatura e fundit e rrymës, ai iu përgjigj duke thënë se fatura e fundit ka qenë më lirë se muajin e kaluar.
“Fatura më ka ardhë dhe ka qenë 35-36 euro. Fatura e kaluar ka qenë rreth 70 e diçka euro. Kam më pak”, ishte përgjigja e ministrit Çeku.
Ai tha se pas ankesave të shumta për fryrje të faturave të rrymës, ka dëgjuar shumë qytetarë që i kanë thënë se faturat nuk janë në lartësinë që po thonë disa të tjerë.
“Nuk po them se nuk po i besoj askujt, unë fola vetëm për veten time që në një familje katër anëtarëshe me dy fëmijë të vegjël ku ka mjaftueshëm edhe shpenzime tjera, në kemi qenë edhe të kujdesshëm në shpenzimin e rrymës dhe kjo është fatura që më ka ardhur mua. Aq sa ka pasur ankesa ditëve të fundit, po aq kam dëgju të tjerët që kanë thënë se nuk është në lartësinë që po e thonë disa të tjerë”, tha Çeku.