Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë sot rekomandimin për pezullimin e Partisë Socialdemokrate. Kjo gjë është konfirmuar tashmë nga zyrtarët e Partisë Socialdemokrate.
Zyrtarja e kësaj partie Natyra Kuçi ka thënë se çështja e rekomandimit të pezullimit të kësaj partie ka të bëjë me disa procedura teknike që sipas saj do të rregullohen në afat prej 45 ditësh.
Tutje ajo paralajmëroi se në janar PSD-ja do të mbajë Kuvendin e saj sipas afatit dhe se do të monitorohet nga KQZ-ja.
“Ka te beje me disa procedura teknike te cilat gjate afatit 45 ditësh do t’i rregullojmë. Nuk ka vend për shqetësim. Ne janar PSD do ta mbaje Kuvendin e saj, sipas afatit te rregullt dhe te monitoruar nga KQZ. Për afatet dhe detajet qe lidhen me mbledhjen e Kuvendit do te njoftoheni me kohe“, ka thënë ajo.
Ndërkaq, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka sqaruar se sipas rekomandimit për PSD-ja e ka pasur për obligim që ta mbajë kuvendin zgjedhor deri më 15 dhjetor, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Në mbledhjen e planifikuar të mbahet sot, KQZ do të shqyrtojë dy rekomandime të Zyrës për Certifikim, Regjistrim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike (ZCRKFPP) për pezullimin e partive politike Lëvizja për Bashkëveprim dhe Partia Socialdemokrate. Lëvizja për Bashkëveprim ka pasur për obligim që ta mbajë konventën/kuvendin zgjedhor deri më 8 dhjetor, ndërsa Partia Socialdemokrate deri më 15 dhjetor të këtij viti, andaj sipas rekomandimit që do të shqyrtohet në KQZ, këtyre partive politike u jepet një afat shtesë prej 45 ditësh që ta mbajnë konventën/kuvendin e tyre zgjedhor”, ka thënë ai.
Elezi tha se në rast se këto parti nuk e mbajnë kuvendin zgjedhor sipas afatit shtesë që u është dhënë, KQZ-ja me vendim mund t’i çregjistrojë ato.
“Po sipas rekomandimit, nëse partitë politike nuk mbajnë konventën/kuvendin zgjedhor as pas këtij afati shtesë, atëherë, sipas Rregullores për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, KQZ me vendim e çregjistron atë. Partitë politike të regjistruara në Kosovë, e kanë për obligim ligjor që të mbajnë kuvendin zgjedhor brenda 6 muajve nga data e regjistrimit të partisë dhe pastaj së paku çdo 48 muaj”, thuhet tutje në përgjigjen e tij.
Mbledhja e KQZ-së do të mbahet me fillim nga ora 13:30, ndërsa në rend dite është edhe rekomandimi për pezullimin e partisë politike Lëvizja për Bashkëveprim dhe rekomandimi për shlyerjen e borxheve të partive politike dhe subjekteve politike për periudhën 2014-2020 nga Regjistri i llogarive të arkëtueshme