Ngadhnjim Arrni, Rrahman Beqiri dhe Kushtrim Shyti, janë tre gjyqtarët që janë avancuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kjo pasi, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në vazhdimin e takimit të 318-të, të mërkurën, ka votuar për tre gjyqtarët që të avancohen në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për avancim në këtë pozitë, ka kandiduar edhe gjyqtarja Fatime Dërmaku, mirëpo nuk ka marrë votat e mjaftueshme nga anëtarët e Këshillit për t’u avancuar në këtë pozitë.
Raporti i vlerësimit të Komisionit Vlerësues, është prezantuar nga anëtari Avni Mehmeti, ku KGJK-së i kanë rekomanduar katër kandidatë për votim.
Mandati i gjyqtarëve në Departamentin Special, do të fillojë nga 1 shkurti 2024.
Po ashtu, gjyqtarët e avancuar në DS nëse kanë pasur në punë lëndë të Prokurorisë Speciale, sipas kryesuesit të KGJK-së, Albert Zogaj, ato do të vazhdojnë t’i trajtojnë.
Po ashtu, KGJK ka vendosur që edhe pas avancimit, gjyqtarët të vazhdojnë të gjykojnë në kolegjet, në Departamentet ku kanë qenë, në mënyrë që rastet të mos kthehen në pikën zero.
Kujtojmë që, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e 310-të kishte shpallur konkurs të brendshëm për tre gjyqtarë në Departamentin Special, të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
KGJK kishte themeluar edhe Komisionin Vlerësues në përbërje të anëtarëve të KGJK-së, Avni Mehmeti, Fidan Hoxha dhe Qerim Ademaj, si dhe Arjeta Sadiku si anëtarë rezervë.
Sipas Ligjit për Gjykatat, për të ushtruar funksionin e gjyqtarit në Departamentin Special për lëndët në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kandidati duhet t’i plotësojë kushtet për të punuar si gjyqtar në Departamentin për Krime të Rënda si dhe të ketë vlerësim pozitiv të performancës.
Gjyqtari Ngadhnjim Arrni aktualisht është gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gjyqtari Kushtrim Shyti aktualisht është gjyqtar në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndërsa, gjyqtari Rrahman Beqiri është gjyqtar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm.
Ndryshe, aktualisht Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka 10 gjyqtarë.