Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ismaili, PDK: Qeveria dhe ZRRE të nisin urgjentisht procesin e uljes së çmimit të energjisë elektrike

 
   

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka kërkuar nga Qeveria Kurti dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë të ulin çmimin e energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.

Ismaili, në një konferencë për media tha se faturat e dyfishuara ose të trefishuara mujore, apo edhe më të larta të energjisë që i kanë pranuar qytetarët gjatë kësaj jave, janë të padrejta dhe të papërballueshme.

“Andaj, është kërkesë imediate që Qeveria, bashkë me ZRRE-në të fillojnë urgjentisht procesin e uljes së çmimit të energjisë elektrike, si dhe të mbahen përgjegjës para ligjit të gjitha akterët që kanë abuzuar me situatën në sektorin e energjisë. Sepse, vazhdimi i faturimit të energjisë me tarifat aktuale do të jetë rrënues për familjet në Kosovë”, tha ai.

Sipas Ismailit, ngritja e çmimit të energjisë elektrike i ka vënë qytetarët para një vështirësie të madhe financiare, duke ua shpenzuar buxhetin familjar para festave dhe duke i futur në borxhe familjet kosovare vetëm që ta përballojnë muajin.

“Këtë muaj, pamë një politikë të Qeverisë kinse për të ndihmuar qytetarët. Ato 58 milionë euro që u ndanë si subvencione nga Qeveria për fëmijë dhe pensionistë, po dëshmohet se në fakt kanë qenë mjete të ndara për KEDS-in. Qytetarët vetëm janë përdorur si ndërmjetësues në këtë transaksion të planifikuar. Faturat e stër-rritura të energjisë janë dëshmi e kësaj politike të dëmshme dhe manipuluese. Në kohën kur qytetarët e Kosovës, nën këtë qeveri, janë varfëruar edhe më shumë, me 19% te tyre nën pragun e varfërisë, ata po detyrohen të paguajnë edhe faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike”, shtoi ai.

Ismaili rikujtoi dy deklaratat kontradiktore të kryeministrit Kurti, atë të vitit 2015 se qytetarët më të varfër në Evropë po i paguajnë faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike, si dhe atë të vitit 2022 se aq lirë ka qenë energjia elektrike sa qytetarët nuk e kanë ditur se sa paguajnë.

“Ani pse e kanë të njëjtin burim, këto dy deklarata shpërfaqin jo vetëm ndryshimin nga opozita në pushtet, por dhe qëllimin e kësaj Qeverie për të dyfishuar çmimin e energjisë për qytetarët e Kosovës. Pra, ekziston një përgjegjësi e drejtpërdrejtë qeveritare për situatën e vështirë në të cilën sot janë qytetarët tanë, të cilat vijnë si rrjedhojë e skandaleve dhe politikave të kësaj Qeverie në energji”, tha ai.

Po ashtu, ai rikujtoi se me Qeverinë Kurti në pushtet, ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfshirë në skandalin më të madh rajonal të tregtimit të energjisë dhe shpëlarjes së parave, së pari është dyfishuar çmimi i energjisë, pastaj ka ndodhur edhe ngritja e dytë prej 15.4 %.

“Kjo Qeveri, edhe pse sot çmimi i energjisë në bursën ndërkombëtare ka rënë nga mesatarisht 300 euro në vitin e kaluar, në 21 euro për megavat sot, prapë se prapë nuk e ka marrë asnjë vendim për të zbritur tarifat e energjisë për qytetarët tanë, por kanë mbajtur çmimet shumë të larta aktuale. Kjo Qeveri i ka dhënë 113 milionë euro nga taksat tona për të paguar energjinë e serbëve në pjesën veriore të vendit. Kjo Qeveri, nuk ka bërë asgjë për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë. Përkundrazi, ajo ka hequr dorë edhe nga projekti i gazit amerikan, që do të ndihmonte shumë sigurinë energjetike të vendit, rrjedhimisht edhe ekonomitë familjare të Kosovës. Si përfundim, kjo Qeveri, fatkeqësisht, nuk e ka as në temë, as në plan dhe as në agjendë mbështetjen e ekonomive familjare dhe prodhimit vendor energjetik. Barrën e energjisë elektrike të ngritur, do ta paguajnë edhe për një kohë të gjatë qytetarët e vendit tonë”, theksoi Ismaili.